Deputeti i Partisë Socialiste, Erion Braçe, në seancën plenare të Kuvendit, theksoi rëndësinë e një strategjie të fortë kundër ndërhyrjeve të huaja në institucionet shqiptare dhe sektorë të ndryshëm të shoqërisë.
Ai nënvizoi se Shqipëria, si vend kandidat për anëtarësim në Bashkimin Europian dhe anëtar i NATO-s, nuk është imun ndaj kërcënimeve që vijnë në formën e ndikimeve të jashtme, dezinformatave dhe manipulimit të perceptimit publik.
Braçe shpjegoi se pozicioni strategjik i vendit, tranzicioni institucional i gjatë dhe angazhimi i Kuvendit dhe shoqërisë shqiptare në përputhje me vendimet e BE-së dhe NATO-s, i ekspozojnë Shqipërinë ndaj rreziqeve të vazhdueshme dhe në rritje. Ai theksoi nevojën që reagimi ndaj këtyre sfidave të jetë i koordinuar, në kohë dhe efektiv.
Për t’u përballur me këto kërcënime, Kuvendi ka vendosur të krijojë një komision të posaçëm me mandat të qartë, i cili do të mbikëqyrë dhe koordinojë masat institucionale në këtë fushë.