Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku në rrjetin e saj social ka reaguar për aksionin e lirimit të hapësirave publike. Tabaku e cilësoi këtë aksion si një nismë e përsëritjeve të skenareve të vjetër.
“Përgjegjësia për situatën aktuale bie drejtpërdrejt mbi qeverinë që ka dhënë lejet dhe që nuk ka kontrolluar territorin,” tha ajo.
Tabaku u shpreh se qytetarëve kur janë zgjedhjet u jepet një liri e plotë dhe më pas ndëshkohen. Ajo theksoi se Shqipërisë i duhet një reformë e plotë dhe tërësore në kontrollin e territorit.
“Sot Shqipëria ndodhet në një udhëkryq, dhe kjo është pasojë e drejtpërdrejtë e arrogancës së pushtetit që reflektohet në mënyrën se si menaxhohen këto aksione dhe territori në tërësi,” përfundoi ajo.