Gjykata e Posaçme për Krimin e Organizuar ka refuzuar kërkesat e tre të dyshuarve për ndryshimin e masës së sigurisë, duke lënë në fuqi vendimin për “arrest me burg” ndaj tyre. Baki Huqi, Aldi Zonja dhe Ismajl Abdurrahmani, të akuzuar për trafik droge në formën e grupit të strukturuar kriminal, u kundërshtuan nga SPAK dhe gjyqtarja Irena Gjoka vendosi të mos ndryshojë masën e arrestit, e cila ishte caktuar që nga nëntori i vitit të kaluar.
Tre të pandehurit kishin kërkuar vlerësimin e kushteve të masës së sigurisë që nga prilli i këtij viti, por kërkesat e tyre u bashkuan dhe u rrëzuan në seancën e 10 korrikut 2025. Gjykata po ashtu mbajti në fuqi masën për shtatë anëtarë të tjerë të grupit, ku përfshihen edhe tre shtetas të huaj, dy venezuelianë dhe një kolumbian, të cilët dyshohet se ishin pjesë e trafikut të kokainës të fshehur në lëkurat e bagëtive.
Vendimi i Gjykatës mbështetet në ligjin penal dhe konfirmon se ndaj të treve vazhdon të zbatohet masa e arrestit për veprat penale të trafikut të narkotikëve dhe pjesëmarrjes në grup të strukturuar kriminal.