Këshilli i Ministrave ka miratuar shoqërinë “ALBTrace Co” sh.a. si autoritetin përgjegjës për gjurmimin dhe shenjimin e bimës së kanabisit që do të kultivohet për qëllime mjekësore dhe industriale në Shqipëri.
Vendimi u mor me propozim të ministrive të Bujqësisë dhe Shëndetësisë, në kuadër të zbatimit të ligjit për kontrollin e kultivimit dhe përpunimit të kanabisit, të miratuar në vitin 2023.
“ALBTrace Co” do të ketë detyrën të garantojë transparencë dhe kontroll të plotë mbi zinxhirin e prodhimit, që nga mbjellja deri te përpunimi për produkte mjekësore.
Në zbatimin e vendimit do të përfshihen edhe Ministria e Financave, Ministria e Shëndetësisë, Ministria e Bujqësisë dhe Agjencia Kombëtare e Kontrollit të Kanabisit.
Ky hap shënon një tjetër fazë në zhvillimin e industrisë së kanabisit mjekësor në vend, e cila synon të jetë e rregulluar dhe nën mbikëqyrje të rreptë shtetërore.