Deputetja e Partisë Demokratike, Ina Zhupa ka folur rreth situatës që po ndodh në Theth ditët e fundit.
Zhupa u shpreh se në Kuvend kur u ndryshua ligji i zonave të mbrojtura, u morën shembull banorët e Thethit. Ajo tha se kryeministri Edi Rama në fillim i ka përdorur banorët e Thethit dhe më pas i ka hedhur poshtë.
“Ka disa gjëra që kanë ndodhur njëkohësisht. Së pari, është ndryshuar ligji i zonave të mbrojtura, dhe kur u ndryshua ky ligj në Kuvend, në interpelancë me mua, Mirela Kumbaro ka marrë shembull banorët e Thethit, duke thënë se ata kanë ndërtuar në tokën e tyre dhe se ky ligj do t’i ndihmojë ata të jetojnë në mënyrë të ligjshme.
Ndërkohë, siç tregohet dhe vërtetohet ajo që ne kemi thënë në Kuvend: ligji nuk bëhej fare për ta. Ligji është bërë për të tjerë, të cilët do të merrnin tokat publike, do të shkatërronin atë që banorët kishin ndërtuar dhe do të uzurponin atë që u takon banorëve. “Paketa e maleve” u vendos si mekanizëm kundër Kodit Zgjedhor, i cili nuk lejon miratimin e ligjeve të tilla deri dy muaj para zgjedhjeve, dhe ato janë në funksion të shërbimit elektoral dhe të pastrimit të parave të pista të oligarkëve të Ramës. Banorët e Thethit ai i përdori dhe më pas i hodhi poshtë”, tha Zhupa në Syri Tv.