Kryetari i PD-së, Sali Berisha deklaroi se Edi Rama ka kryer një krim shtetëror Theth. Tha se kryeministri i urren veriorët. Kërkoi që banorët që u goditën nga aksioni duhet të dëmshpërblehen.
“Edi Rama u soll ndaj Thethit si një shkatërrimtar, shfrytëzoi pabesinë, mashtrimin dhe ka dëmtuar më shumë se çdo pushtues tjetër gjer sot, atë zonë. Po të heqim Rrugën e Arbrit gjatë qeverisjes sonë, investimet janë të barabarta me ato të një rrethi të vetëm të kategorisë së tretë.
Shikoni ç’ndodh me autostradën Milot-Lezhë, autostradë e vdekjes, ndodhin aksident pas aksidenti. Pas Rrugës së Kombit, është rruga me trafikun më intensiv në vend. Ky e urren veriun, e urren Shkodrën.
Dënoj me forcën më të madhe aktet e krimit shtetëror të kryer ndaj banorëve të Thethit dhe kërkoj ndëprerjen e menjëhershme të këtij terrori. Dëmshpërblim për banesat e prishura të premtuara që do legalizohen nga Edi Rama. I ka me zë dhe figurë premtimet e tij!”, deklaroi Berisha.