Kryeministri Edi Rama ka njoftuar një qasje të re të shtetit në ekonomi dhe masa të reja për garantimin e sigurisë ushqimore në vend. Në një deklaratë të fundit, ai theksoi se roli i shtetit duhet të forcohet, jo vetëm si rregullator, por edhe si pjesëmarrës aktiv në treg.
“Ka ardhur koha të kalojmë në një rol të ri të shtetit në ekonomi. Të prodhojmë sukses. Kemi vendosur shtetin në rolin e pronarit që nuk lëshon prona, por merr pjesën e vet,” tha Rama.
Në fokus të veçantë ishte edhe siguria ushqimore, të cilën e cilësoi si një nga pikat më të dobëta të Shqipërisë në procesin e integrimit europian. Ai njoftoi se pas pezullimit të drejtuesve të Autoritetit Kombëtar të Ushqimit (AKU), ka nisur një kontroll i gjerë në terren.
“Nga sot ka filluar procesi i kontrollit dhe konfiskimit të qumështit dhe bulmetit pa faturë. Qumështi, bulmeti apo mishi i freskët pa faturë do të sekuestrohen. Ky është vetëm fillimi i një kontrolli të rreptë për sigurinë ushqimore,” theksoi ai.