Kryeministri Edi Rama ka bërë një thirrje publike për qytetarët që të raportojnë çdo rast kur noterë, avokatë apo zyrtarë të tjerë privatë kërkojnë pagesë për shërbime që ofrohen falas në platformën shtetërore e-Albania.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Rama theksoi se çdo kërkesë për pagesë për këto shërbime përbën shkelje të ligjit dhe mund të sjellë pasoja të rënda për subjektet përkatëse, përfshirë edhe heqjen e licencës.
“Çdo subjekt privat (noter, avokat apo zyrë tjetër) që kërkon pagesë për shërbime të ofruara nga e-Albania është në shkelje të ligjit dhe mund të denoncohet pranë institucioneve përkatëse,” shkruan Rama.
Kryeministri u kujtoi qytetarëve se për çdo nevojë që kanë për asistencë në përdorimin e e-Albania, mund t’i drejtohen zyrave të bashkive apo njësive administrative, kudo në vend, ku do të marrin ndihmën e nevojshme pa pagesë.
Thirrja vjen në një kohë kur janë shtuar ankesat për praktika abuzive nga individë apo zyra që përfitojnë nga mungesa e njohurive teknologjike të qytetarëve, duke i tarifuar për shërbime që në fakt janë publike dhe falas.