Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu ka reaguar për përshkallëzimin e dhunës në jugperëndim të Sirisë, në rajonin e Suwayda, ku jeton një komunitet i madh druz.
Në një deklaratë publike, ai i është drejtuar drejtpërdrejt qytetarëve druz të Izraelit, duke theksuar angazhimin e ushtrisë izraelite për t’i mbrojtur.
“Vëllezërit e mi, qytetarë druzë të Izraelit, situata në Suwayda është shumë serioze… Po punojmë për të shpëtuar vëllezërit tanë druzë dhe për të eliminuar bandat e regjimit,” tha Netanyahu.
Kryeministri gjithashtu u bëri thirrje qytetarëve të mos kalojnë kufirin në territorin sirian, duke paralajmëruar rrezikun e rrëmbimit apo vrasjes.
Ndërkohë, Netanyahu nuk ka komentuar mbi largimin e partisë Shas nga koalicioni qeverisës, veprim që e ka lënë atë pa shumicën prej 61 deputetësh në parlamentin izraelit.
Situata në jug të Sirisë vijon të jetë alarmante, me përfshirjen gjithnjë e më të madhe të aktorëve rajonalë dhe tensione ndërmjet komuniteteve etnike përtej kufijve shtetërorë.









