Nga Besart Xhaferri
Jam nga ata që nuk kam pretenduar kurrë se i takon monopoli i përfaqësimit pozitar apo opozitar vetëm një partie. Përkundrazi, pluralizmi brenda kampeve pozitare dhe opozitare do ndihmonte shpërbërjen e diktatit të pak individëve në fatin e Shqipërisë dhe qytetarëve të saj. Jam kundër përqendrimit të çfarëdo lloj pushteti në pak duar, qoftë ai politik, financiar, ligjvënës, gjyqësor apo edhe mediatik.
Shumëllojshmëria sjell zhvillim dhe garë të shëndetshme, e cila sjell mundësi destabiliteti të monopoleve, oligopoleve dhe luftë ndaj stabilokracive vrastare që jetojnë sot shoqëritë e vogla.
Megjithatë, kjo është ana e medaljes pozitive që ky pluralizëm duhet të sjelli.
Ajo çka ndodhi në Shqipëri para 11 Majit ishte një pluralizëm ne numër partish dhe shumë pak në filozofi, ide politike apo qellim për të sjellë pluralizëm në qeverisje, përkundrazi ishte për ta fragmentuar sa më shumë opozitë – bërjen.
Kishim parti që pranonin se nuk synonin të qeverisnin edhe si pjesë koalicioni, por donin të ishin të paktën edhe një mandat në opozitë e në mos më tepër. Me pak fjalë ishin të dorëzuara që nuk do sillnin kushtet e tyre në qeverisjen e shoqërisë. Pra, votuesi i tyre nuk do përfaqësohej në politikat që ata premtonin në programin e tyre elektoral sepse ato nuk do kishin aplikim në asnjë moment.
Përfunduam në premtime utopike, çarje sistemi imagjinar dhe tani në parodinë e luftës për një mandat që si duhet askujt nga votuesit e këtyre forcave.
Sot është edhe më e qartë se krijimi, ekzistenca dhe garimi i këtyre forcave ishte vetëm kalimtar, afat shkurtër dhe jetë shkurtër për qëllimet e qarta të pushtetit absolut të Edi Ramës për të fragmentuar kërcënimin e tij të vetëm, një opozite të bashkuar dhe të madhe para zgjedhore, apo edhe pas zgjedhore.
Votuesit e këtyre forcave që me idealizëm, apo me naivitet, apo ndoshta edhe për snobizëm i mbështetën, sot po korrin atë që mbollën: 150 mijë vota të djegura që i shkuan për shtat sistemit të Edi Ramës.
Kur të rinjtë nuk kanë guximin apo edhe forcën që të ndryshojnë forcat politike tradicionale të mëdha nga brenda, normal që nuk do kenë këllqe që të ndryshojnë shoqërinë dhe Shqipërinë në tërësi. Është llogjik si në sport, qe duhet të fitosh kategoritë brenda kampionateve vendase, për të dalë pastaj në garën jashtë vendit.
Përndryshe përfundon si San Marino të vogla që janë aty sa për numër për të ekzistuar, aspak për të triumfuar.
Ngushëllimi i vetëm ngelet për mend për herë tjetër!








