Gjatë 24 orëve të fundit janë raportuar 34 vatra zjarri në disa zona të vendit, prej të cilave 8 mbeten ende aktive dhe 3 të tjera janë në monitorim të vazhdueshëm.
Qarqet më të prekura janë Shkodra, Lezha, Dibra, Elbasani dhe Gjirokastra, ku terreni i vështirë dhe temperaturat e larta po e bëjnë më të vështirë ndërhyrjen e forcave zjarrfikëse dhe emergjencave civile.
Në vatrën e zjarrit, në vendin e quajtur “Maja e Paliskës”, mbi fshatin Dukat pati një përmirësim të situatës pas ndërhyrjes edhe nga 2 helikopterë të Forcës Ajrore. Por më vonë në mbrëmje zjarri u riaktivizua. Gjatë natës vatra është mbajtur në monitorim nga forcat zjarrfikëse.
Ditën e sotme në terren kanë shkuar forca nga strukturat vendore dhe 40 efektivë nga Forcat e Armatosura. Pritet gjithashtu edhe ndërhyrje nga ajri me 1 helikopter të Forcës Ajrore.
Po ashtu, në vatrën e zjarrit pranë Parkut Kombëtar të Lurës, dje u ndërhy edhe me avionin Canadair kroat nga Mekanizmi Evropian i Mbrojtjes Civile, gjë që solli një përmirësim të situatës në njërën nga vatrat. Megjithatë përpjekjet e forcave operacionale në terren, nuk u arrit të shuhej zjarri. Puna po vijon sërish sot.
Një tjetër vatër problematike është ajo në vendin e quajtur “Përroi i Zi” , ku dje, ndërhyrja edhe me avionin Canadair kroat ngadalësoi përhapjen e flakëve drejt disa banesave dhe staneve në zone, por temperaturat e larta dhe erërat e forta ndikuan negativisht në vënien nën kontroll të vatrës, e cila pati një perimetër shumë të madh. Sot vijon puna për shuarjen e zjarrit.
Gjatë orëve të pasdites, pati një riaktivizim të fuqishëm të vatrës së zjarrit nga kufiri me Mirditën. Sot në terren pritet të operojnë 2 helikopterët hungarezë dhe avioni kroat Canadair.
Në operacionet për shuarjen e zjarreve janë angazhuar: 40 automjete zjarrfikëse, 776 forca operacionale nga strukturat vendore dhe qendrore
Gjatë ditës së djeshme morën pjesë në operacione: 345 forca nga Forcat e Armatosura (FA), me 3 mjete dhe 3 helikopterë, 1 avion Canadair i ardhur nga shteti kroat dhe 2 helikopterë për misione rikonjicioni nga Hungaria.
Për ditën e sotme, janë në vijim të operacioneve, 215 efektivë të FA, 1 helikopter nga FA, 1 avion Canadair kroat, 2 helikopterë hungarezë, në kuadër të Mekanizmit Evropian të Mbrojtjes Civile.