Ministria e Mbrojtjes njofton se pas një nate intensive dhe sfiduese u bë e mundur vendosja nën kontroll e flakëve që rrezikonin drejtpërdrejt jetën e banorëve në Bashkitë Himarë dhe Delvinë, veçanërisht në: Kalasë, Shën Vasil, Lukovë, Sasaj dhe Piqeras.
“Në Kalasë, zjarri, i nxitur nga era e fortë, kaloi nga territori i Bashkisë Himarë drejt një lagjeje të fshatit. U ndërmorën menjëherë masa evakuimi dhe në terren ndërhynë 75 forca operacionale si dhe një helikopter i Forcës Ajrore.
Falë reagimit të shpejtë dhe bashkërendimit të strukturave, banesat u mbrojtën dhe u shmang çdo rrezik për jetën e banorëve.
Në Sasaj dhe Piqeras, vatrat u intensifikuan gjatë natës, duke rrezikuar zonat e banuara. U krye evakuimi i përkohshëm i banorëve, ndërsa forcat operacionale neutralizuan me sukses flakët dhe parandaluan përhapjen e tyre.
Në Lukovë dhe Shën Vasil, ndërhyrja e forcave operacionale dhe mjeteve zjarrfikëse bëri të mundur frenimin e zjarrit që kishte prekur zonat kodrinore dhe pyjore përreth. Situata u vendos nën kontroll pas një angazhimi të pandërprerë”, thuhet në njoftimin e ministrisë së Mbrojtjes.