Shpërthime dhe zjarre janë raportuar në disa rajone të Rusisë pas një vale sulmesh me dronë ukrainas, teksa presidenti amerikan, Donald Trump ka thënë se do t’i pozicionojë nëndetëset bërthamore “më afër Rusisë”, disa ditë para përfundimit të afatit që i ka dhënë Moskës për të arritur marrëveshje për paqe me Kievin.
Shërbimi i Sigurisë i Ukrainës ka thënë më 2 gusht se dronët e tij e kanë goditur një bazë ajrore ku ruhen dronët Shahed në Primorsko-Aktarsk dhe bazën ushtarake Elektroprillad në Penza.
Ushtria ukrainase ka raportuar edhe për sulme në rafineri të naftës. Autoritetet në rajonin Samara të Rusisë kanë bërë të ditur se ka pasur kufizimet në fluturimet ajrore. Guvernatori rajonal ka konfirmuar se sulmet në një objekt industrial në Novokubishevsk, kanë ndalur përkohësisht shërbimin e internetit në telefona mobilë.
Ai ka thënë se një civil është vrarë nga rrëzimi i mbetjeve të një droni. Në Krimenë e pushtuar është raportuar se Ura e Kërçit e cila lidh gadishullin me Rusinë –është bllokuar për më shumë se pesë orë dhe shpërthimet janë dëgjuar në Feodosia dhe Kërç.
Ministria ruse e Mbrojtjes ka raportuar për sulme në tetë rajone dhe ka pretenduar se i ka rrëzuar apo shkatërruar 112 dronë. Rusia, në anën tjetër, ka nisur sulme ajrore në Ukrainë me 53 dronë, sipas forcës ajrore ukrainase. Ushtria ukrainase ka thënë se 45 prej tyre janë rrëzuar.
Në Herson është vrarë një grua 68-vjeçare, ndërsa një burrë 41-vjeçar është plagosur. Këto sulme janë kryer në përshkallëzim e sipër të retorikës në mes të Uashingtonit dhe Moskës.
Presidenti amerikan, Donald Trump ka thënë se ka urdhëruar pozicionimin e dy nëndetëseve bërthamore afër Rusisë, pas kërcënimeve lidhur me luftën në Ukrainë nga ish-presidenti rus, Dmitry Medvedev.
Afati i fundit i Trumpit për Moskën është 8 gushti, mirëpo ende nuk është e qartë se çfarë do të ndodhë pas. Ai ka folur për mundësinë e vendosjes së sanksioneve ndaj Rusisë si dhe tarifa sekondare ndaj shteteve që importojnë naftë ruse./ REL