Dinamo ka konfirmuar përmes një postimi në faqen zyrtare në “Facebook” se ndeshja e kthimit ndaj Hajdukut të Splitit, e vlefshme për turin e tretë të UEFA Conference League, do të zhvillohet në stadiumin “Air Albania” në Tiranë.
Ky ndryshim vjen pas angazhimit të presidentit Adrian Bardhi, i cili ka bërë gjithçka të mundur për t’u dhënë tifozëve blu mundësinë që ta ndjekin ekipin nga afër, në një ambient modern dhe më të afërt me ta.
Fillimisht e planifikuar për t’u luajtur në “Elbasan Arena”, sfida është zhvendosur zyrtarisht në kryeqytet dhe kjo lëvizje është miratuar tashmë edhe nga UEFA.
Pritet që prania e tifozëve të jetë masive më 14 gusht, për të shtyrë Dinamon drejt një rezultati historik.