Në një konferencë nga selia blu, kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, shprehu sot solidaritetin me gazetarët dhe punonjësit e Focus Media Group, duke dënuar ashpër ndërhyrjen ndaj News24.
Ai e cilësoi këtë veprim si një akt agresiv dhe banditesk nga ana e kryeministrit Edi Rama, që sipas tij, synon të godasë fjalën e lirë dhe mediat e pavarura.
Berisha deklaroi se News24 është televizioni i tretë që bie viktimë e ndërhyrjeve politike të Ramës dhe theksoi se nuk ka asnjë bazë ligjore për ndërprerjen e sinjalit apo bllokimin e transmetimit.
Ai shtoi se kontrata për godinën e medias është e vlefshme deri në vitin 2033 dhe çdo veprim është i paligjshëm.
Në fund të fjalës së tij, Berisha kërkoi rikthimin e menjëhershëm të sinjalit dhe rifillimin e punës për të gjithë punonjësit e mediave që janë pjesë e Focus Media Group.