Në 24 orët e fundit, Shqipëria është përballur me 64 vatra zjarri, nga të cilat 24 janë ende aktive.
Sipas Ministrisë së Mbrojtjes, mbi 10,000 forca të emergjencave janë angazhuar për të luftuar flakët, ndërsa situata është duke u stabilizuar.
Operacionet për shuarjen e zjarreve kanë vazhduar gjatë natës, duke u fokusuar në kufizimin e perimetrit të flakëve dhe mbrojtjen e zonave të banuara dhe parqeve kombëtare.
Aktualisht, po përdoren 5 helikopterë për operacione ajrore në Gramsh dhe Delvinë, ndërkohë që forcat zjarrfikëse, ushtria dhe policia po punojnë intensivisht në terren.
Disa rajone si Vlorë, Elbasan dhe Gjirokastër janë më të goditurat, ndërsa disa zona të tjera si Shkodra dhe Tirana kanë pasur flakë më të përhapura.
Ministria e Mbrojtjes ka paralajmëruar për kushte të pafavorshme të motit, duke parashikuar temperatura të larta dhe erëra të forta, që mund të rrisin rrezikun për shpërthimin e zjarreve të reja.
Autoritetet i bëjnë thirrje qytetarëve të jenë të kujdesshëm dhe të raportojnë menjëherë çdo vatër zjarri të re.