Sali Berisha ka kërkuar shpalljen e gjendjes së fatkeqësisë natyrore për situatën e zjarreve dhe ka akuzuar qeverinë për menaxhim të dobët të emergjencave.
Ai tha se “në dhjetëra zona është një situatë tërësisht jashtë kontrollit” dhe se kjo është një “emergjencë kombëtare” për çdo shqiptar, përveç “narkoqeveritarëve”.
Berisha kritikoi ashpër Këshillin e Sigurisë Kombëtare, duke e cilësuar atë si një trup që “vazhdon ahengjet nëpër festa të bashkive lokale”, ndërkohë që forcat e armatosura dhe policia po përdoren për “pushtimin” e mediave dhe jo për shpëtimin e jetëve.
Ai shtoi se “kamionët e tyre përdoren jo për të evakuuar njerëzit nga zonat e zjarrit, por për të plaçkitur dhe grabitur mjetet e punës të gazetarëve”.
Berisha e lidh këtë situatë direkte me kryeministrin Edi Rama, duke thënë se “prapa këtij krimi të shëmtuar qëndron Edi Rama”.
Në vazhdim, ai kritikoi qeverinë për shpenzimin e miliona eurove për “çarterë dhe satelitë”, duke theksuar se me këto para mund të ishin siguruar dy avionë Canadair dhe më shumë zjarrfikës për Shqipërinë, që do të ishin të nevojshëm për të përballuar situata të tilla.