Pasditen e sotme në Delvinë kanë shkuar për të ndjekur nga afër situatën e zjarreve, dy ministrta Pirro Vengu dhe Ervin Hoxha.
Ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu tha se Shqipëria është duke blerë dy avionë që në të ardhme të ketë mundësi të përballojë më mirë situata të ngjashme. Gjithashtu vlerësoi Mekanizmin Evropian, që ka sjellë avionë dhe helikopterë për të ndihmuar Shqipërinë.
“Nuk kemi pasur kurrë kaq shumë mjete ajrore të dedikuara për zjarret. Më vjen mirë që jemi të integruar në Mekanizmin Evropian. Kjo vihet re edhe kur janë vendet e tjera në flakë kanë ardhur dhe na kanë ndihmuar. Avionët janë duke u blerë. Ata duhet të prodhohen, është një proces që kërkon kohë. I keni shifrat në buxhet, nuk kemi bërë disbursime pasi nuk kemi lidhur kontratë”, tha Vengu.
Ndërsa ministri i Brendshëm, Ervin Hoxha falënderoi policinë e shtetit për punën heroike, si dhe tha se vijojnë hetimet për autorët e zjarrvënies.
“Koordinimi i strukturave ka qenë i mirë. Ne kemi arritur të stabilizojmë rreth 90% të zjarreve. Jemi këtu për të shprehur gatishmërinë. Policia e Shtetit po heton këto ngjarje. Të gjithë personat që kanë vënë zjarre do të dalin përpara drejtësisë. Janë 12 persona të arrestuar dhe mbi 100 të proceduar. Policia është e dedikuar. E rëndësishme është të kemi një reagim të shpejt. Është rritur zjarrvënia e qëllimshme këtë vit”, tha Hoxha.