Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, ka përjashtuar mundësinë e një kandidimi tjetër për postin e presidentit. Vuçiç gjatë një konference për shtyp në Beograd me kancelarin austriak, Christian Stocker theksoi se mandati i tij aktual do të përfundojë brenda një periudhe prej rreth 18 muajsh.
“Jam prej kohësh pjesë e skenës politike dhe nuk do të rikandidoj. Nuk kam asnjë qëllim të ndryshoj Kushtetutën për qëllime personale. Nuk jam diktator, siç më paraqesin shpesh disa media në Austri.” u shpreh Vuçiç.
Ai shtoi se “Do të mbështes njerëzit që mendoj se kanë potencial për ta çuar vendin përpara dhe do të angazhohem për suksesin e tyre. Pozicioni im i ardhshëm nuk është temë diskutimi tani.”
Ndërsa protestat Vuçiç i cilësoi si pjesë normale e një demokracie, për sa kohë që ato zhvillohen pa dhunë.