Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, dhe presidenti rus, Vladimir Putin, do të udhëtojnë të premten drejt shtetit amerikan të Alaskës për një samit me prioritete të ndryshme, ndërsa përgatiten për bisedime mbi përfundimin e luftës së Rusisë në Ukrainë.
Putin ka qenë i qëndrueshëm në synimin e tij për të marrë territor ukrainas, ndërsa Trump nuk e ka fshehur dëshirën e tij për t’u shfaqur si paqebërës global.
Megjithatë, të dy mund të shohin edhe mundësi të tjera, si për shembull rikthimin e Putinit në skenën diplomatike botërore. Objektivat e Trump mbeten më të vështira për t’u parashikuar, pasi ai ka dhënë shpesh deklarata kontradiktore për homologun rus.
Çfarë kërkon Putin nga ky samit
Gjëja e parë që Putin kërkon nga kjo takim është diçka që e ka marrë tashmë: njohjen.
Njohjen nga vendi më i fuqishëm në botë – SHBA – se përpjekjet e Perëndimit për ta izoluar liderin e Kremlinit kanë dështuar. Vetë fakti që ky takim i nivelit të lartë po zhvillohet, si edhe konferenca e përbashkët për shtyp e njoftuar nga Kremlini, janë dëshmi e kësaj. Moska mund të argumentojë se Rusia është rikthyer në “tavolinën e madhe” të politikës botërore.
“Ja ku e keni izolimin,” ironizoi tabloidi Moskovsky Komsomolets këtë javë.
Putin jo vetëm që ka siguruar një samit SHBA–Rusi, por edhe një vendndodhje simbolike për të: Alaska.
Siguri – Në pikën më të afërt, Alaska ndodhet vetëm 90 km nga rajoni rus i Çukotkës, çka do të thotë se Putin mund të udhëtojë atje pa kaluar mbi vende “armiqësore”.
Distancë nga Europa dhe Ukraina – Takimi zhvillohet shumë larg fushëbetejës dhe liderëve të BE-së, gjë që përputhet me strategjinë e Kremlinit për të anashkaluar Kievin dhe për të negociuar drejtpërdrejt me SHBA-në.
Simbolikë historike – Fakti që Rusia cariste ia shiti Alaskën Amerikës në shekullin e 19-të po përdoret nga Moska për të justifikuar ndryshimet e kufijve me forcë në shekullin e 21-të.
Por përtej simbolikës, Putin kërkon fitore. Ai këmbëngul që Rusia të mbajë të gjitha territoret e pushtuara në Donetsk, Luhansk, Zaporizhzhia dhe Kherson, si dhe që Ukraina të tërhiqet nga zonat që ende kontrollon në ato rajone.
Kievi e refuzon kategorikisht këtë: “Ukrainasit nuk do t’ia japin tokën e tyre pushtuesit,” ka deklaruar presidenti Volodymyr Zelensky.
Kremlini e di këtë. Por nëse arrin të sigurojë mbështetjen e Trump për kërkesat territoriale, llogaritja e Moskës mund të jetë se Ukraina do të refuzojë dhe Trump do të ndërpresë ndihmën për Kievin, ndërsa marrëdhëniet SHBA–Rusi do të forcoheshin.
Nga ana tjetër, presionet ekonomike mund ta shtyjnë Putinin të pranojë një kompromis. Megjithatë, deri tani nuk ka asnjë shenjë për këtë, pasi zyrtarët rusë pretendojnë se ende mbajnë iniciativën në fushëbetejë.
Qasja e paqëndrueshme e Trump
Trump premtoi gjatë fushatës së vitit 2024 se do ta mbyllte luftën në Ukrainë brenda pak ditësh. Ky premtim e ka ndjekur gjatë gjithë presidencës së tij të dytë, ndërsa ai ka kaluar nga kritikat ndaj ukrainasve te zhgënjimi nga qëndrimi i rusëve.
Në shkurt, gjatë një takimi dramatik në Shtëpinë e Bardhë, ai qortoi Zelenskyn dhe më pas pezulloi përkohësisht ndihmën ushtarake dhe ndarjen e inteligjencës me Ukrainën. Kohët e fundit, ka qenë më kritik ndaj Putinit për sulmet ndaj objektivave civile dhe ka vendosur disa afate për sanksione të reja – të cilat gjithmonë i ka tërhequr në momentin e fundit.
Tani, duke pritur Putinin në tokë amerikane, ai po flet për “shkëmbim territoresh”, një ide që Ukraina e sheh si të rrezikshme.
Ulja e pritshmërive – dhe ambicia për lavdi
Këtë javë, Trump ka bërë përpjekje të ulë pritshmëritë për samitin, duke e quajtur një takim “për t’u ndjerë” dhe duke thënë se mund ta kuptojë brenda dy minutave nëse mund të arrihet një marrëveshje. “Mund të largohem dhe të them: shumë sukses – dhe kaq,” tha ai të hënën.
Zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Karoline Leavitt, e përshkroi takimin si një “seancë dëgjimi”. Por deri në mesjavë, Trump nisi sërish të flasë për mundësinë e një marrëveshjeje, duke pohuar se si Zelensky ashtu edhe Putin duan paqe.
Një gjë ka qenë e qartë gjatë gjithë vitit: Trump do ta mirëpriste mundësinë të mbahej mend si njeriu që mbylli luftën – dhe të fitonte çmimin Nobel për Paqe.
Të enjten, në Zyrën Ovale, ai u mburr me konfliktet globale që mendon se ka zgjidhur që prej janarit, por pranoi: “Mendoja se kjo do të ishte më e lehta. Në fakt është më e vështira.”
Putin, një negociator i stërvitur, mund të kërkojë një mënyrë për t’i dhënë Trump mundësinë të shpallë “progres drejt paqes” – por në kushtet e Rusisë./BBC