Izraeli nis pushtimin e Gazës. Ndërsa fazat e para të një sulmi masiv ndaj Qytetit të Gazës marrin formë, Izraeli po thërret dhjetëra mijëra rezervistë për të marrë pjesë në operacionin e afërt ushtarak.
Marrja nën kontroll dhe pushtimi i qytetit më të madh në Gazën veriore, të cilin kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu , e quajti një nga fortesat e fundit të Hamasit, do të kërkojë që ushtria të sjellë 60,000 trupa rezervë të tjera dhe të zgjasë shërbimin e 20,000 të tjerëve.
Këto plane kanë shkaktuar dënime në rritje si në nivel ndërkombëtar ashtu edhe brenda vendit, për shkak të frikës se kriza humanitare dhe e urisë në Gaza do të përkeqësohet dhe se jeta e pengjeve të mbetura do të jetë më në rrezik nga një operacion i zgjeruar ushtarak.
Ushtria izraelite është tashmë në periferi të qytetit të Gazës, tha të mërkurën zëdhënësi i Forcave Mbrojtëse të Izraelit (IDF), gjeneral brigade Effie Defrin, në atë që ai e përshkroi si hapat e parë të një operacioni më të gjerë.