Përpjekja e Donald Trump për një përfundim të negociuar të luftës Ukrainë -Rusi ka rritur ndjenjën e urgjencës që Kievi të anëtarësohet në Bashkimin Evropian.
Ndërsa aleatët e Ukrainës debatojnë për garancitë e sigurisë për Kievin që do të parandalonin sulme të reja ruse në të ardhmen, një zgjidhje afatgjatë do të ishte anëtarësimi në BE, i cili do ta sillte atë brenda kuadrit të klauzolës së mbrojtjes së ndërsjellë të bllokut prej 27 anëtarësh, vëren Bloomberg në analizën e tij.
Pas vitesh bisedimesh me BE-në, Ukraina ndryshoi Kushtetutën e saj gjashtë vjet më parë për të përfshirë anëtarësimin në BE dhe NATO si një qëllim strategjik dhe paraqiti kërkesën e saj në Bashkim vetëm disa ditë pas fillimit të pushtimit rus, vetëm për të marrë statusin e kandidatit pothuajse katër muaj më vonë. Këshilli Evropian ra dakord në fund të vitit 2023 të fillonte negociatat e pranimit, të cilat zyrtarisht filluan në qershor 2024.
Negociatat janë duke vazhduar, pjesërisht sepse kërkohet miratimi unanim nga të gjitha shtetet anëtare që procesi të vazhdojë. Kryeministri hungarez Viktor Orban është përpjekur të bllokojë pranimin e Ukrainës dhe udhëheqësit evropianë janë përpjekur, sipas agjencisë, të shfrytëzojnë ndikimin e aleatit të Orbanit, Donald Trump për të kapërcyer kundërshtimet e Budapestit.
Anëtarësimi në BE nuk është një garanci e menjëhershme sigurie, pasi procesi zgjat me vite. Megjithatë, sapo një vend bëhet anëtar i BE-së, ai mbulohet nga klauzola e mbrojtjes së ndërsjellë, e përcaktuar në Nenin 42.7 të Traktatit për Bashkimin Evropian, i cili thotë se në rast të një sulmi të armatosur kundër një shteti anëtar, të tjerët kanë një “detyrim t’i ofrojnë atij ndihmë dhe mbështetje me të gjitha mjetet që kanë në dispozicion”.
Kjo klauzolë është e ngjashme me parimin e mbrojtjes kolektive në Nenin 5 të NATO-s, i cili thotë se një sulm ndaj një anëtari konsiderohet një “sulm ndaj të gjithëve”. Megjithatë, NATO i detyron shtetet anëtare të marrin çfarëdo masash që “i konsiderojnë të nevojshme” në vend të të gjitha mjeteve të mundshme.
Ashtu si Neni 5 i NATO-s, klauzola e BE-së nuk e kufizon mbështetjen vetëm në përdorimin e forcës së armatosur. Neni 42.7 u lejon vendeve neutrale, si Austria dhe Irlanda, të përgjigjen në një mënyrë që nuk shkel politikën e tyre të neutralitetit. Klauzola e mbrojtjes së ndërsjellë e BE-së nuk është testuar kurrë në rast të një sulmi ushtarak nga një vend tjetër dhe është përdorur vetëm një herë nga Franca, në vitin 2015, pas sulmeve terroriste në Paris.
Procesi i anëtarësimit në BE
Ekzistojnë tre faza kryesore, të cilat kërkojnë miratim unanim nga 27 shtetet anëtare:
Sigurimi i statusit të vendit kandidat, duke përmbushur kriteret politike dhe ekonomike, siç janë respektimi i sundimit të ligjit dhe një ekonomi tregu funksionale.
Negociatat e pranimit, gjatë të cilave vendi kandidat kërkohet të zbatojë reforma për t’u përafruar me legjislacionin e BE-së.
Miratimi i traktatit të anëtarësimit nga Komisioni, Këshilli Evropian dhe Parlamenti Evropian, përpara se ai të nënshkruhet dhe ratifikohet nga të gjitha shtetet anëtare dhe vendi kandidat.
Kryeministri hungarez kishte kundërshtuar fillimin e negociatave të pranimit me Ukrainën, duke thënë se vendi nuk ishte gati. BE-ja arriti të kapërcente kundërshtimin e tij pasi Orban nuk ishte i pranishëm për votimin përfundimtar, sipas burimeve në agjenci.
Ukraina është tani në fazën e dytë të procesit të anëtarësimit, që përfshin përshtatjen e vendit me rregullat dhe politikat e BE-së, të cilat janë të ndara në 35 fusha.