Shumë përpjekje në kërkimet shkencore janë investuar nga grupe të ndryshme shkencëtarësh në kuptimin e ndikimeve ekologjike të specieve alloktone apo të huaja, ku një pjesë e tyre janë edhe invazive (IAS në gjuhën angleze) nëpër ekosisteme, por studimet empirike rreth efekteve ekonomike janë vërtet në numër të kufizuar aktualisht (Cuthbert et al., 2021).
Për këtë arsye, ishte grupi shkencor i udhëhequr nga Cuthbert, në vitin 2021, i cili, duke përdorur një bazë të dhënash gjithëpërfshirëse në nivel global, përcaktoi modelet dhe trendet në kostot ekonomike të llojeve alloktone invazive ujore, duke shqyrtuar:
(i) shpërndarjen e këtyre kostove nëpër grupet taksonomike, rajonet gjeografike dhe tipologjitë e kostove;
(ii) dinamikën kohore të kostove globale; dhe
(iii) boshllëqet e njohurive, veçanërisht krahasuar me llojet alloktone invazive tokësore.
Në këtë studim, bazuar në kostot e regjistruara nga literatura ekzistuese, kostoja globale e IAS ujore rezultoi të përmblidhej në 345 miliardë dollarë amerikanë, me shumicën që i atribuohej jovertebrorëve (62%), të ndjekur nga vertebrorët (28%) dhe më pas bimët (6%).
Interesant rezultoi fakti se vetëm 10 gjinitë ujore me kostot më të larta të dokumentuara përbënin 304 miliardë dollarë amerikanë (88%) të kostove totale (Figura 1).
Këto gjini përfshinin katër jovertebrorë, tre vertebrorë (midis tyre edhe një gjini peshqish) dhe tre bimë.
Kostot totale monetare të 10 gjinive alloktone invazive ujore me kostot më të larta të shpenzimeve për dëmet dhe menaxhimin e tyre, së bashku me informacionin specifik të specieve që i përkasin secilës gjini. Vini re se “Menaxhimi” korrespondon me shpenzimet që lidhen me aktivitete të tilla si parandalimi, kontrolli, zhdukja dhe kërkimi shkencor, ndërsa “I përzier” është një përzierje e tipologjive të kostos.
Referuar studimit të Cuthbert dhe kolegëve të tij (2021), kostot më të mëdha u raportuan në Amerikën e Veriut (48%) dhe Azi (13%) dhe ishin kryesisht rezultat i dëmeve në burime (74%); vetëm 6% e kostove të regjistruara ishin nga menaxhimi.
Magnituda dhe numri i kostove të raportuara ishin më të larta në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe për njësitë taksonomike gjysmë-ujore. Interesante ishte se për shumë vende dhe specie të njohura ujore alloktone nuk ekzistonin të dhëna rreth kostove të raportuara, veçanërisht në Afrikë dhe Azi.
Më specifikisht, kostot në Europë dhe Amerikën e Jugut përbënin së bashku 12% (41 miliardë dollarë amerikanë) të kostove totale të raportuara, ndërsa Afrika, Ishujt e Oqeani-Paqësor dhe Antarktida-Subantarktike së bashku përbënin 0.6% (2.1 miliardë dollarë amerikanë).
Lidhur me tipologjitë e kostove, 74% (256 miliardë dollarë amerikanë) e kostove globale lidhen me dëmet e niveleve të ndryshme, ndërsa vetëm 6% (21 miliardë dollarë amerikanë) përbëhen nga shpenzime të lidhura me menaxhimin.
Shpenzimet e përziera (domethënë, të dhënat e kombinuara të dëmeve dhe shpenzimeve të lidhura me menaxhimin) përbënin 20% të kostove globale (68 miliardë dollarë amerikanë).
Prandaj, një analizë e thelluar e rrjetëzimit zbuloi lidhshmëri të kufizuar midis vendeve, duke treguar raportim të ndryshëm të kostove, sipas Cuthbert dhe kolegëve të tij (2021).
Kostot e IAS ujore janë rritur në dekadat e fundit me disafish, duke arritur të paktën 23 miliardë dollarë amerikanë në vitin 2020.
Sipas autorëve të këtij studimi, kostot ka të ngjarë të jenë dukshëm të nënpërfaqësuara krahasuar me IAS tokësore, pasi vetëm 5% e kostove të raportuara ishin nga speciet ujore, pavarësisht se 26% e llojeve alloktone të njohura ishin ujore.
Përveç kësaj, vetëm 1% e kostove të invazivitetit ujor ishin nga speciet detare.
Por le të kthehemi dhe të japim një përshkrim rreth dëmeve që të tilla lloje alloktone invazive sjellin në ekosistemet e reja që ato pushtojnë me praninë e pasardhësve të tyre.
Speciet alloktone invazive ujore dihet se bëhen pushtuese me një shkallë më të lartë sesa organizmat e introduktuar në ekosisteme të reja tokësore dhe shkalla aktuale e invazivitetit tejkalon shumë atë të periudhave të tjera gjeologjike, sipas Havel dhe kolegëve të tij, në studimin e publikuar në vitin 2015.
IAS-et mund të shkaktojnë dëme të rënda në ekosistemet që kanë pushtuar duke përdorur burime, që përndryshe do të përdoreshin nga organizmat vendas dhe nganjëherë duke i tejkaluar speciet vendase që ekzistojnë në një vend (apo nikie ekologjike) të ngjashëm [9] ose duke u bërë “inxhinierë mjedisorë” e duke shkaktuar një ndryshim të shpejtë të ekosistemit natyror ku janë vendosur përfundimisht (Havel et al., 2015).
Shpesh këto IAS rriten e shumohen në mungesë të grabitqarëve natyrorë, duke u lejuar atyre të rriten me shpejtësi për sa u përket përmasave të popullatave përkatëse.
Rritja eksponenciale e të tilla popullatave largon lëndët ushqyese thelbësore si fosfori nga sedimentet dhe i varfëron këto burime, duke ulur numrin e specieve vendase që kanë qasje në të njëjtat burime.
Përveç kësaj, ndikimet negative ekonomike të IAS parashikohen në sektorët e bujqësisë, transportit detar dhe peshkimit, të cilat variojnë nga disa miliona në miliarda dollarë çdo vit, ndërsa popullatat e IAS vazhdojnë të rriten, sipas Lovell, në publikimin e vitit 2006.
Pra, në një vështrim të përgjithshëm të literaturës dhe duke konsideruar disa autorë, kostot e llojeve alloktone (IAS) ujore janë vërtet të konsiderueshme, por ka të ngjarë të mos raportohen sa duhet.
Të tilla kosto janë rritur me kalimin e kohës dhe pritet të vazhdojnë të rriten me pushtimet e ardhshme (Cuthbert et al., 2021).
Në nivel global, aktualisht kërkohet rritja dhe përmirësimi i raportimit të kostove nga menaxherët, praktikuesit dhe studiuesit për të zvogëluar boshllëqet ekzistuese në njohuri.
Kjo vlen edhe për një vend të vogël si Shqipëria, me burime njerëzore dhe financiare të kufizuara, ku vëmendja është e përqendruar ekskluzivisht në kapitalin material. Pak kosto janë investime proaktive në nivel global, ku në listën e të tilla vendeve përfshihen SHBA dhe vendet e Bashkimit Europian.
Rritja e shpenzimeve të menaxhimit të llojeve alloktone invazive është urgjente për të parandaluar dhe për të kufizuar dëmet aktuale dhe të ardhshme nga këto lloje në ekosistemet ujore, ku në një pjesë të mirë të tyre, në vendet e Mesdheut, përfshirë edhe Shqipërinë, shërbejnë për të ofruar shërbimet turistike.
Në Mesdhe, midis viteve 1990 dhe 2017, shumica e kostove nga pushtimi i llojeve alloktone u regjistruan në pjesën perëndimore të Europës: Spanjë (12.47 miliardë dollarë), Francë (10.85 miliardë dollarë) dhe Itali (680.76 milionë dollarë), sipas studimit të publikuar në 2021 nga Kourantidou dhe kolegët e tij (Figura 2).
Kostot ishin gjithashtu të larta në Libi (593.04 miliardë dollarë). Shuma e kostove në 11 vendet e mbetura, për të cilat ishin të disponueshme të dhëna (domethënë Shqipëria, Bosnja dhe Hercegovina, Kroacia, Qiproja, Egjipti, Greqia, Izraeli, Malta, Mali i Zi, Sllovenia dhe Turqia), rezultoi të ishte relativisht më e ulët, duke vërtetuar numrin e ulët të hyrjeve me kostot e dëmeve dhe menaxhimit të tyre, në krahasim me katër vendet e përmendura më parë.
Gjithsesi, në rastin e Shqipërisë (Figura 2), ku kostot e observuara janë rreth 11 milionë dollarë, kur e krahasojmë me vendin fqinj (Greqinë), me një sipërfaqe dhe numër popullsie disafish më të madh se ajo e Shqipërisë, e me kosto të observuara prej rreth 55 milionë dollarësh amerikanë, del qartë se duhet të kryhet një menaxhim më i mirë i llojeve alloktone invazive, qofshin tokësore apo ujore, pasi edhe në këtë mënyrë mund të uleshin shpenzimet për kostot nga dëmet e shkaktuara nga llojet invazive.
Kostot e raportuara të IAS në vendet e pellgut të Mesdheut gjatë periudhës 1990–2017. Nën-grafikët shfaqin (a) kostot totale (kostot e observuara dhe potenciale) dhe (b) vetëm kostot e observuara. n = numri i hyrjeve të kostos në bazën e të dhënave të InvaCost, B: Miliarda, M: Miliona, K: Mijëra. Rrathët nxjerrin në pah vendet e vogla (Andorra, Gjibraltari, Monako, San Marino, Qyteti i Vatikanit, të gjitha pa kosto të regjistruara). Kufijtë kombëtarë bazohen në të dhënat nga https://gadm.org/data.html dhe janë vetëm për qëllime ilustrimi. Qiproja përfaqësohet si një njësi e vetme gjeografike; të gjitha kostot ishin nga pjesa greke. Projeksioni i Hartës: World Mercator.
Në publikimin e vitit 2021 të Kourantidou dhe kolegëve të tij (Figura 2), shumica e specieve tokësore zënë zona që përbëjnë vërtet shqetësim për ekonominë dhe njerëzit që jetojnë në to, përfshirë toka të kultivuara ose pyje. Edhe në këtë studim nuk është identifikuar ndonjë model i qartë për pushtimet ujore, i cili mund të pasqyrojë, ndër faktorë të tjerë, nënraportimin e pushtimeve në ekosistemet ujore.
Me 42% të vendeve në pellgun e Mesdheut që mungojnë plotësisht në bazën e të dhënave të publikimit (Kourantidou et al., 2021), shumë pak kosto të regjistruara nga shumica dërrmuese e pjesës tjetër dhe veprime kolektive për luftimin e pushtimeve nga llojet alloktone invazive, të cilat mungojnë kryesisht në pellgun e Mesdheut, bëhet e qartë se ekziston një nevojë urgjente për raportim gjithëpërfshirës, të vendosur dhe të standardizuar se si pushtimet ndikojnë në mirëqenien njerëzore, sociale dhe ekonomike.
Ky është veçanërisht rasti në mjediset ujore, e sidomos në Detin Mesdhe, i cili njihet të jetë ndër më të pushtuarit në botë (Kourantidou et al., 2021).
Përpjekjet duhet të adresohen në krijimin e bazës së të dhënave me specifikimet e taksoneve pushtuese me rrezik të lartë dhe/ose me ndikim të lartë dhe identifikimin me më shumë saktësi të shkallës hapësinore dhe kohore të ndikimeve të realizuara dhe të pritura.
Investimet në standardizimin, si të kostove të dëmeve, ashtu edhe të menaxhimit (Iacona et al., 2018; Diagne et al., 2021), mund të jenë me vlerë të madhe për një kuptim më të mirë kolektiv të ndikimeve në nivel kombëtar apo rajonal të pushtimit nga llojet invazive, e sidomos ato ujore, ku informacioni është shumë më i kufizuar jo vetëm në Shqipëri.
Drejtimi tjetër do të ishte ai i përpjekjeve për hartimin e politikave bashkëpunuese ndërkufitare, që mund të ndihmojnë në zbutjen e ndikimeve në nivel kombëtar apo edhe në Mesdhe, një nga pikat më të pasura të biodiversitetit në botë./ Monitor