Dy të akuzuarit për kanosje ndaj kryeministrit Albin Kurti janë deklaruar të pafajshëm gjatë seancës së mbajtur në Gjykatën Themelore në Prishtinë. Prokurori Bekim Kodraliu lexoi aktakuzën ku thuhej se Faton Klinaku dhe Nuredin Selmani e kishin kërcënuar publikisht Kurtin në vitin 2023.
“I pandehuri Faton Klinaku, seriozisht dhe publikisht e ka kanosur përmes rrjetit social Facebook duke postuar. Pas reagimeve të opinionit publik, i pandehuri ka përsëritur një shkrim me përmbajtje kërcënuese. I pandehuri seriozisht e ka kanosur me vrasje kryeministrin Albin Kurti”, tha prokurori Bekim Kodraliu.
Pas seancës së shqyrtimit fillestar, i pandehuri Klinaku tha se nuk ka kryer asnjë vepër penale. Ndërsa i pandehur tjetër Selmani deklaroi se Kurti nuk duhet të ketë frikë prej tij, por nga historia.
“Albin Kurti të mos ketë frikë nga unë, por të frikësohet nga historia që një ditë ndoshta do ta dënojë historia e popullit shqiptar. Prandaj edhe një gjë duhet ta cek, se ky ‘tuc’ duhet të lajmërohet çdo herë në Prokurori, t’i përgjigjet Prokurorisë, sepse duhet të japë përgjegjësi për paratë e shtetit, paratë e këtij populli kah po shkojnë… Unë konsideroj që jam i pafajshëm, tash shohim”, tha ai.