Kryeministri Edi Rama në emisionin Opinion tha se modeli i ardhshëm i zhvillimit të turizmit në bregdet nuk do të jenë ato që i quajti si “kampe për refugjatët e pasur”.
Rama u shpreh se do të ulet intensiteti i ndërtimit masiv në zonën bregdetare dhe se do të kërkohet më shumë cilësi.
“Shumë shpejt do dalim me gjëra konkrete për mënyrën si do operohet më pas. Këto kampet siç mund t’i quaj tani, kampe për refugjatë të pasur, nuk do të jenë modeli ynë i mëtejshëm. Çdo gjë vjen me faza. Nëse tërhiqemi pak në kohë dhe shohim. Faza e parë, ka qenë Golemi dhe besoj se në atë kohë ishte si një gjë shumë më ekskluzive. Ndërkohë që sot ajo është një pjesë që i takon së shkuarës. Pastaj erdhi faza tjetër ku filluan disa ndërtime më cilësore, më të reja për Shqipërinë, por që nuk janë këto që janë Shqipëria 2030 dhe Shqipëria më pas. Tani do të futemi në një fazë tjetër ku do të kërkojmë shumë më tepër cilësi, do të ulim intensitetin e ndërtimit masivisht në zonën bregdetare. Do të vazhdojmë të zhvillojmë patjetër aty ku ka zhvillim dhe do të jemi shumë të kujdesshëm aty ku nuk ka zhvillim që çfarë ndërhyrjesh do të bëhen do të jenë ndërhyrje që do të shkojnë në funksion të një Shqipërie që ka një turizëm që sjell shumë më tepër të ardhura dhe shumë më pak ndotje, shumë më pak dëm”, tha Rama.