Vit pas viti, ndryshimet klimatike po tregojnë ndikimin e tyre të drejtpërdrejtë dhe një nga pasojat më shqetësuese është ndotja e ajrit.
Sipas një raporti të fundit nga Organizata Botërore Meteorologjike (OBM), gjatë vitit 2024 zjarret në pyje kanë qenë ndër faktorët kryesorë të ndotjes në shumë rajone të botës.
Zona si Amazona, Kanadaja, Siberia dhe Afrika Qendrore kanë përjetuar përqendrime të larta të grimcave ndotëse, për shkak të djegieve të mëdha.
OBM thekson se kjo situatë pritet të përkeqësohet nëse nuk merren masa serioze, pasi temperaturat e larta dhe thatësirat e zgjatura po nxisin gjithnjë e më shumë këto zjarre.
Ajo që e bën më shqetësues këtë raport është paralajmërimi për rreziqe të mëdha ndaj shëndetit publik, pasi ndotja nga grimcat, sipas OBSH-së, lidhet me rreth 4.5 milionë vdekje të parakohshme çdo vit.
Ndërkohë, ka edhe lajme pozitive. Kina Lindore ka shënuar rënie të ndotjes falë përpjekjeve për ta ulur atë, duke treguar se ndryshimi është i mundur me angazhim konkret.