Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka njoftuar se nga sot ka filluar regjistrimi i votuesve me nevoja të veçanta për pjesëmarrje në zgjedhjet lokale për kryetarë dhe Kuvende Komunale, të cilat do të mbahen më 12 tetor 2025.
Për të mundësuar votimin e këtyre qytetarëve, KQZ do të angazhojë ekipe mobile në të gjitha komunat e Republikës së Kosovës, që do të vizitojnë shtëpitë dhe institucionet përkatëse ditën e zgjedhjeve.
Detajet e regjistrimit për votuesit me nevoja të veçanta
Votuesit që nuk mund të dalin në vendvotim (7 shtator – 7 tetor). Kjo kategori përfshin qytetarët me zotësi juridike, por që për shkak të paaftësisë fizike, shëndetësore apo të tjera, nuk janë në gjendje të dalin personalisht për të votuar.
Regjistrimi mund të bëhet online, përmes platformës elektronike: https://vpnv.kqz-ks.org, ose fizikisht, në zyrat e Komisionit Komunal të Zgjedhjeve (KKZ) përkatës.
Kurse te votuesit në rrethana të veçanta (7 shtator – 7 tetor), përfshihen ata që nuk mund të dalin për shkaqe sigurie, ata që ndodhen nën arrest shtëpiak. Regjistrimi i tyre bëhet online përmes platformës së KQZ-së ose nëpërmjet ndihmës së KKZ-së, si dhe në bashkëpunim me institucionet përkatëse për evidentimin e votuesve në arrest shtëpiak
E si votues me lëvizje të kufizuar në institucione (15 shtator – 2 tetor), përfshihen personat e hospitalizuar, të moshuarit në shtëpi të kujdesit, personat në trajtim në institucione të shëndetit mendor dhe të burgosurit dhe të paraburgosurit, ku KQZ do të bashkëpunojë me institucionet përkatëse për evidentimin automatik të këtyre votuesve.
Gjithashtu, ata që ndodhen në spitale, shtëpi të të moshuarve ose strehimore për viktimat, mund të regjistrohen edhe individualisht online përmes platformës: https://vpnv.kqz-ks.org
“Të gjithë votuesit e regjistruar në këto kategori do të kenë të drejtën të votojnë përmes ekipeve mobile të KQZ-së, në ambientin ku ndodhen, ditën e zgjedhjeve. KQZ apelon për regjistrim sa më të hershëm, për të garantuar përfshirjen dhe organizimin efektiv. Për më shumë informata, qytetarët mund të vizitojnë faqen zyrtare të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve: www.kqz-ks.org”, thuhet në njofitm /Kosovapress/


 
                                    





