Në qytetin e Durrësit po zhvillohet një seminar dyditor, i organizuar nga Prezenca e OSBE-së në Shqipëri, me mbështetjen e Departamentit për Kërcënimet Ndërkufitare të OSBE-së dhe Programit Ndërkombëtar të Ndihmës së Trajnimit të Hetimit Kriminal të Departamentit të Drejtësisë së SHBA-së.
Në këtë ngjarje marrin pjesë zyrtarë të lartë nga Struktura e Posaçme Kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit (SPAK), Byroja Kombëtare e Hetimit (BKH), Policia e Shtetit Shqiptar, si dhe përfaqësues nga Kosova, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut dhe vendet anëtare të Bashkimit Evropian.
Seminari fokusohet në analizimin e lidhjeve mes trafikut të paligjshëm të drogës dhe krimit të dhunshëm, duke përfshirë kërcënimet që lidhen me pastrimin e parave, vrasjet me pagesë, zhvatjen dhe forma të tjera të rënda të dhunës.
Kjo veprimtari synon të krijojë një platformë të fortë për shkëmbimin e informacionit dhe praktikave të mira, me qëllim forcimin e bashkëpunimit rajonal dhe përmirësimin e hetimeve të përbashkëta penale.









