Presidenti i Republikës, Bajram Begaj i dha mandatin Edi Ramës për të formuar qeverinë e re. Dekretoi edhe “Diellën” ministren e virtuale.
“Kryeministri ushtron edhe përgjegjësinë për ngritjen dhe funksionimin e ministrit virtual të Inteligjencës Artificiale “Diella”, thuhet në dekretin e Begaj.
Pas këtij dekreti ka reaguar opozita. Kryetari i grupit të PD-së, Gazment Bardhi e cilëson qesharake.
“Dekreti i Presidentit të Republikës për të ngarkuar kryeministrin me ngritjen dhe funksionimin e ministrit virtual “Diella”, përveçse qesharak, është tërësisht antikushtetues. Ai bie ndesh me nenet 96, 97, 102 dhe 103 të Kushtetutës.
Ministër mund të emërohet: (i) shtetasi shqiptar; (ii) që ka mbushur 18 vjeç; dhe (iii) është i aftë mendërisht (shih nenet 45 dhe 103 të Kushtetutës). Cilat nga këto cilësi ka ministrja “Diella”?!
Karagjozllëqet e kryeministrit nuk mund të shndërrohen në akte juridike të shtetit shqiptar. Ushtar Bajrami po tenton ta shndërrojë Republikën në një palaçollëk, siç është ai vetë” shkruan ai.