Ish-kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti ka thënë se goditja që SHBA i dha Kosovës me ndërprerjen e Dialogut Strategjik, do të ketë pasoja afatgjata nëse nuk do të ndryshojë qasja politike në Kosovë.
Hoti me anë të një postimi në rrjete sociale ka shprehur se një goditje e tillë do të ishte evituar nëse presidentja Vjosa Osmani do të kishte përmbushur detyrimin kushtetuese për të mbrojtur Kushtetutën, gjyqtarët e Kushtetueses, gjyqësorin, prokurorinë, gazetarët, bizneset e të gjitha komunitetet nga sulmet e Albin Kurtit.
“Goditja që mori dje shteti i Kosovës nga ndërprerja e dialogut strategjik Kosovë-SHBA do të ketë pasoja afatgjata nëse nuk ndryshon kursi i zhvillimeve politike. Të mos harrojmë se jemi edhe nën masa financiare të BE-së për më shumë se dy vjet.
Ky vendim i SHBA-së do të ishte i shmangshëm sikur Presidentja Osmani ta kishte përmbushur detyrimin e saj kushtetues, duke marrë përgjegjësinë për të mbrojtur Kushtetutën dhe gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese, institucionet gjyqësore e prokuroriale, gazetarët, bizneset dhe komunitetet pa dallim nga sulmet dhe presioni i Kurtit dhe Vetëvendosjes.
Në vend të kryerjes së obligimit të saj kushtetues, Osmani në vazhdimësi zgjidhte heshtjen ose radhitej pas Kurtit.
Ky vendim i SHBA-së është zile e re alarmi për ata që bartin përgjegjësi institucionale apo politike, shumë prej të cilëve viteve të fundit Kurti i ka tërhequr zvarrë drejt narratives së tij të popullizmit të mbrapshtë që solli këtë vendim të SHBA-së.
Zilja ra sërish dhe shumë fuqishëm. Nesër, kur mund të bëhet vonë, askush nuk mund të thotë se nuk u zgjua ngase nuk i ra kush ziles.
Zilja kishte rënë edhe në fillim të vitit 2020. Atëherë, LDK-ja zgjodhi partneritetin me SHBA-në para ruajtjes së pozitave qeveritare.”, shkruan ai.








