Partia e Lirisë ka ngritur akuza të forta ndaj qeverisë, duke theksuar se Shqipëria po përballet me një realitet të hidhur ekonomik, ku inflacioni po ndikon drejtpërdrejt në jetën e përditshme të familjeve shqiptare.
Në një deklaratë për mediat, Sekretarja për Marrëdhëniet me Publikun në Partinë e Lirisë, Arla Merja, ka akuzuar qeverinë për mosveprim ndaj abuzimeve, monopoleve dhe korrupsionit që sipas saj janë shkaktarët kryesorë të rritjes së çmimeve të ushqimeve, energjisë, karburanteve dhe ilaçeve.
“Qeveria ka lejuar oligarkët të diktojnë çmimet, ka lejuar tregun të funksionojë pa kontroll dhe ka mbyllur sytë përballë korrupsionit në import, në shpërndarje dhe në administratë”, tha Merja, duke i bërë thirrje institucioneve të marrin masa urgjente për të mbrojtur qytetarët.








