Kryeministri Edi Rama ka prezantuar ministren e Brendshme, Albana Koçiun. Rama gjatë prezantimit të Koçiut u ndal edhe tek ndërtimet pa leje.
Kryeministri mori rastin e punonjësit të AMP që kishte ndërtuar pa leje. Ai e cilëson atë si drejtues injorant dhe thotë se gënjeshtra i ka këmbët e shkurtra.
“Shpërndajnë paga dhe impakti i të cilave në punët e brendshme janë afër 0. AMP është një strukturë e re për të mbikëqyrur Policinë e Shtetit, pra është e pavarur. Me një sërë atributesh të reja e shërbimit të brendshëm, deri para ca vitesh dhe që kërkon të shoqërohet në këtë proces dhe të udhëhiqet që të adresojë si duhet objektin e punë së vetë, se nuk mund të kemi drejtues të agjencisë së AMP në territor që janë ndërkohë ndërtues pa leje. Mbrohen nën hijen e babait. E ka bërë ndërtimin babai, a thua se meqë është babai i drejtorit, është i amnistuar nga krimi i ndërtimit pa leje? Ndërtues që mbulojnë babain, e përdorin babain për mbulesë dhe bëjnë rolin e çarçafit duke deklaruar që ndërtimi është bërë në 2018, a thua përsëri që justifikon? Por meqë 2020 është limiti i legalizimit, drejtues injorant që nuk e ka mësuar që gënjeshtra i ka këmbët e shkurtra. Di mund të pritet nga një drejtues i këtij niveli që të mbikëqyrë policinë, kur ai duhet mbikëqyrur nga drejtësia”, u shpreh Rama.








