Kryetari i bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj i ka bërë kërkesë këshillit bashkiak që të marrë pjesë në mbledhjen e planifikuar për ditën e martë kur do të votohet shkarkimi i tij.
Ditën e martë do të mblidhet Këshilli Bashkiak i Tiranës për të shqyrtuar kërkesën për shkarkimin e Erion Veliajt nga posti i kryetarit të Bashkisë së kryeqytetit.
Anëtarët socialistë të Këshillit Bashkiak, në një mbledhje në selinë e PS pak ditë më parë vendosën të paraqesin kërkesën për shkarkimin e qytetarit të parë të Tiranës duke përdorur nenin 62, pika 3 të ligjit për Vetëqeverisjen Vendore që thotë se “Kryetari i bashkisë shkarkohet me vendim të Këshillit të Ministrave në rastet kur propozohet për shkarkim nga këshilli bashkiak përkatës për mosparaqitje në detyrë për një periudhë 3-mujore të pandërprerë”.
Të njëjtën kërkesë për shkarkimin e Erion Veliajt e kanë paraqitur në muajin maj edhe këshilltarët e opozitës. Sipas ligjit, kur procedura e shkarkimit të mbyllet, qeveria njofton Presidentin e Republikës për vakancën dhe kreu i shtetit duhet të dekretojë brenda 48 orëve datën e zgjedhjeve të cilat zhvillohen jo më parë se 30 ditë dhe jo më vonë se 45 ditë nga momenti i njoftimit.
Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, u arrestua në 10 shkurtin e këtij viti. Pak ditë më parë SPAK mbylli hetimet dhe çështja tashmë është në gjykatë. Pas përfundimit të hetimeve nga Prokuroria, ndaj kryebashkiakut në detyrë rëndojnë 5 akuza: “korrupsion pasiv”, “pastrim parash”, “fshehje e mosdeklarim i pasurisë” dhe “futje e sendeve të palejuara në institucionet e ekzekutimit të vendimeve penale”. Më 29 shtator Erion Veliaj për herë të parë do të dalë si i pandehur përpara Gjykatës së Posaçme.
Letra e plote e Erion Veliajt
E nderuar kryetare dhe anëtarë të Këshillit Bashkiak,
Jam informuar nga media se, më datë 23 shtator 2025, do të mbahet mbledhja e Këshillit Bashkiak të Tiranës, me objekt miratimin e propozimit drejtuar Këshillit të Ministrave për shkarkimin tim nga funksioni i Kryetarit të Bashkisë, me arsyetimin e mungesës mbi tre muaj në detyrë.
Dua të theksoj qartë se kjo mungesë nuk është pasojë e vullnetit tim, por rrjedhojë e një mase sigurie disproporcionale dhe që do të kundërshtohet në çdo instancë gjyqësore, deri në Gjykatën Evropiane të të Drejtave të Njeriut.
Kjo masë nuk ka izoluar vetëm qytetarin Erion Veliaj, por ka paralizuar qeverisjen e kryeqytetit, duke lënë pa drejtues të zgjedhur mbi 1 milion qytetarë të Tiranës. Sistemi gjyqësor, në mungesë të një përgjegjësie të plotë për fuqinë dhe pasojat e vendimeve të tij, nuk mori parasysh se masa e sigurimit duhej të balanconte interesin publik të hetimit penal me interesin po aq madhor të garantimit të qeverisjes vendore. Kjo është arsyeja reale që ka prodhuar krizën e sotme politike, institucionale dhe kushtetuese. Shkaktar i saj nuk është as Kryetari i Partisë Socialiste, as Partia Socialiste, as ju këshilltarë, por një vendimmarrje gjyqësore që ka ndërprerë në mënyrë të padrejtë një mandat kushtetues. Çdo përpjekje për ta fshehur këtë të vërtetë nuk i shërben zgjidhjes, por e devijon atë.
Mungesa e imponuar nga një masë paraprake, jo nga një vendim përfundimtar fajësie, nuk është as mungesë e vullnetshme, as shkelje e rëndë kushtetuese, por cenim i hapur i parimit të përfaqësimit demokratik dhe një precedent i rrezikshëm për qeverisjen vendore.
E mirëkuptoj shqetësimin tuaj për të kërkuar një zgjidhje politike. Por nuk mund të mirëkuptoj që kjo krizë, e shkaktuar nga gjykata dhe ku “viktimë” është vetëqeverisja vendore, të “zgjidhet” me një tjetër shkelje të Kushtetutës po nga vetë pushteti vendor. Një vendim i tillë do të zëvendësonte vullnetin e 160 mijë zgjedhësve, të cilët kanë folur politikisht, me një akt të pajustifikuar juridikisht, duke krijuar precedent të rrezikshëm për demokracinë vendore.
E kam thënë dhe e përsëris, dhe dua të më besoni siç keni bërë gjithë këto vite: nuk bëhet fjalë për interesin tim personal. Mandati nuk është i imi, por i qytetarëve të Tiranës, të cilët për herë të tretë më kanë dhënë nderin e jetës sime duke më besuar drejtimin e qytetit. Mandati nuk më ka mbrojtur mua, përkundrazi, është arsyeja pse unë sot jam i izoluar, por ai më detyron të mbroj kontratën katërvjeçare që qytetarët kanë firmosur me votën e tyre. Kam detyrimin të mbroj çdo pikë djerse që kemi derdhur së bashku për ta fituar atë besim.
Kryetari i Bashkisë së Tiranës është organ kushtetues që ka të drejtën dhe Këshilli Bashkiak i Tiranës ka detyrimin të respektojë procesin e rregullt ligjor në çdo vendimmarrje që bën. Për këto arsye dhe në respekt të parimit kushtetues të procesit të rregullt ligjor dhe të së drejtës për t’u dëgjuar, kërkoj të jem i pranishëm dhe të dëgjohem në mbledhjen e këshillit bashkiak, për të dhënë sqarimet e nevojshme para se të merret vendimi për propozimin e shkarkimit tim.
Kryetari i Bashkisë së Tiranës,
Erion Veliaj