Presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen gjatë një interviste ka shprehur se Evropa po jeton në një kohë shumë të rrezikshme.
Vin der Leyen ka thënë se NATO mbetet shtylla kryesore e mbrojtjes dhe Europa duhet të bëhet më e pavarur në këtë fushë.
Ndërsa për luftën në Gaza, ajo kërkoi armëpushim të menjëhershëm dhe theksoi se zgjidhja me dy shtete është e vetmja rrugë për paqe të qëndrueshme.
Intervista e plotë e publikuar nga “La Repubblica”
Po shkojmë drejt Luftës së Tretë Botërore?
“Jo, por po jetojmë në kohë shumë të rrezikshme. Do të bëj gjithçka që është në fuqinë time për të ruajtur paqen dhe lirinë në Europë. Pikërisht për këtë po i forcojmë kapacitetet tona mbrojtëse me kaq shumë vendosmëri. Në një botë gjithnjë e më armiqësore, duhet të bëjmë gjithçka që është e mundur për të mbrojtur demokracinë, begatinë dhe paqen”.
BE dëshiron të luajë një rol më vendimtar në fushën e mbrojtjes, por praktikisht të gjitha kompetencat në këtë sektor i takojnë shteteve anëtare (dhe NATO-s): sipas jush cili do të jetë roli i BE-së në të ardhmen? A do të bëhet një Bashkim i vërtetë i mbrojtjes?
“Bashkimi Europian është përgjegjës për tregun e vetëm për industritë e tij, për kërkimin dhe inovacionin dhe për NVM-të, ku përfshihet edhe baza industriale e mbrojtjes. Ne marrim përsipër përgjegjësitë tona për të mbrojtur Unionin. Duhet të përballemi me realitetin: bota ka ndryshuar thellësisht dhe duhet të përgatitemi për të përballuar sfidat që do të na vijnë. Kjo do të thotë t’i tregojmë vetes, aleatëve dhe kundërshtarëve tanë se Europa ka ndërmend të mbrohet dhe është e aftë ta bëjë këtë. Dhe duke menduar për iniciativat e shumta që kemi marrë — për sigurinë tonë energjetike, për gatishmërinë tonë në mbrojtje — pas pushtimit të Ukrainës nga Rusia në vitin 2022, jemi në rrugën e duhur”.
Kemi parë një mungesë angazhimi të ushtrisë amerikane në përgjigjen e NATO-s ndaj sulmit me dronë të Rusisë kundër Polonisë. A është kjo prova e radhës se në të ardhmen, nëse paraqiten kriza të këtij lloji, mund të mbështetemi vetëm në forcat europiane brenda NATO-s? Apo edhe jashtë strukturave të NATO-s?
“Incidentet, në veçanti ai që ndodhi në Poloni, janë jashtëzakonisht domethënës. Nëse është e vërtetë se NATO duhet të mbetet shtylla kurrizore e mbrojtjes sonë kolektive, është gjithashtu e vërtetë se kemi nevojë për një shtyllë europiane shumë më të fortë. Europa duhet të jetë më e vetë-mjaftueshme dhe e pavarur për sa i përket sigurisë. Për këtë kemi nisur programin “Gatishmëria për 2030”, me të cilin synojmë të plotësojmë mangësitë e kapaciteteve, të përshpejtojmë procedurat dhe të mobilizojmë deri në 800 miliardë euro për industrinë e mbrojtjes. Do të mbrojmë çdo centimetër të Bashkimit Europian”.
Kur do të ketë një ushtri të vërtetë europiane?
“Për të shmangur çdo keqkuptim: shtetet anëtare do të kenë gjithmonë kompetencën mbi trupat e tyre, nga doktrina tek dislokimi, për shembull, dhe mbi përcaktimin e nevojave të forcave të tyre të armatosura. Nuk duhet harruar që 30 nga 32 vendet e NATO-s janë europiane. Prandaj, duke forcuar shtyllën europiane të NATO-s, ne gjithashtu fuqizojmë kapacitetet ushtarake të Europës dhe aftësinë e saj për t’u mbrojtur”.
Duket se avioni juaj ka qenë viktimë e luftës elektronike të Moskës. Çfarë rreziqesh kemi?
“Ndërhyrja me sistemet GPS është bërë një problem i përditshëm në shumë rajone që kufizohen me Rusinë. Trafiku detar në Detin Baltik është vazhdimisht i prekur nga ndërprerje, me rritje të rrezikut për përplasje. E njëjta gjë vlen për trafikun ajror mbi Detin e Zi. Rusia duket e gatshme të pranojë se herët a vonë do të ketë incidente fatale. Është një çështje që e marrim shumë seriozisht, ashtu si edhe të gjitha sulmet hibride dhe kibernetike të Rusisë ndaj Unionit, sepse këto sulme tregojnë qartë se ambiciet e Rusisë nuk ndalen në Ukrainë. Rruga e vetme e Europës drejt sigurisë dhe stabilitetit kalon përmes një parandalimi të fortë dhe të besueshëm”.
Si mund të promovohet “pavarësia” e Europës dhe në të njëjtën kohë kompanitë europiane të angazhohen të investojnë 600 miliardë dollarë në SHBA dhe të blejnë energji nga SHBA për 750 miliardë dollarë në tre vjet?
“Europa është e vendosur të forcojë sigurinë e saj energjetike: po ndërtojmë një bazë të fortë energjie të pastër nga burime të brendshme të rinovueshme, duke ulur njëkohësisht, ose madje duke eliminuar, varësinë tonë strategjike nga furnizues të pabesueshëm. Po përshpejtojmë eliminimin gradual të karburanteve fosile ruse dhe po realizojmë investime masive në energjitë e rinovueshme të prodhuara në Europë, duke përdorur bërthamoren për ngarkesën bazë. Sot marrim tashmë mbi 70% të energjisë elektrike nga burime me emetime të ulëta karboni. Vetëm në gjysmën e parë të vitit 2025, investimet në energjinë e erës europiane kanë arritur një maksimum historik prej mbi 40 miliardë euro.
Por siguria energjetike nuk do të thotë pavarësi totale: perspektiva e një autonomie të plotë nga tregjet globale nuk është as realiste dhe as e dëshirueshme. BE mbetet e ndërthurur dhe importet e naftës, GNL-së dhe, eventualisht, hidrogjenit do të vazhdojnë të jenë pjesë e përzierjes energjetike. Në këtë aspekt SHBA është një partner i besueshëm dhe një element thelbësor i strategjisë sonë më të gjerë të diversifikimit. Kjo vizion është konkretizuar në marrëveshjen tregtare BE-SHBA. Duhet theksuar se shifrat e përmendura i referohen një periudhe katërvjeçare dhe nuk përfaqësojnë angazhime detyruese. Në fund, u takon vetë kompanive europiane të vendosin nëse dhe sa do të blejnë — ose investojnë — në SHBA”.
Trump ka kërkuar që BE të vendosë taksa doganore 100% ndaj Indisë dhe Kinës. Si duhet të përgjigjet BE?
“BE do të vendosë në mënyrë të pavarur. Kërkesa vinte nga interesi i Presidentit për të rritur presionin ndaj Rusisë që të ndalte agresionin ndaj Ukrainës dhe të ulej në tryezën e negociatave. Për këtë sapo kam propozuar paketën e 19-të të sanksioneve të rëndësishme dhe gjithëpërfshirëse. Natyrisht, do të vazhdojmë të koordinojmë përpjekjet tona në të dy anët e Atlantikut dhe brenda G7 dhe i mirëpresim përpjekjet e SHBA për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë. E dimë gjithashtu se, në këtë kontekst gjeopolitik gjithnjë e më kompleks, duhet të forcojmë partneritetet e bazuara në interesin e përbashkët. Mendoni për marrëdhëniet tona me Indinë. Ndërsa vendi merr një rol gjithnjë e më të rëndësishëm në termat e sigurisë në rajonin indo-paqësor, një bashkëpunim më i ngushtë BE-Indi është më i domosdoshëm se kurrë. Për këtë kemi shpallur një agjendë të re strategjike BE-Indi, e cila përcakton si përparësi forcimin e mbrojtjes dhe sigurisë reciproke. Synojmë të përfundojmë një marrëveshje të re të tregtisë së lirë deri në fund të vitit 2025, në përfitim të kompanive europiane dhe indiane. Marrëveshje si kjo forcojnë pozicionin tonë gjeopolitik dhe na vënë në kushtet për të arritur objektivat tona”.
Pse i keni pranuar tarifat doganore të vendosura nga Trump pa reciprocitet dhe pa vendosur asnjë taksë mbi produktet amerikane të importuara në Europë? Nuk mendoni se jeni “tërhequr” shumë lehtë pa “rezistuar”? Si synoni të mbani premtimin për të garantuar “parashikueshmëri dhe stabilitet”?
“Tarifat janë taksa. Shumica e ekonomistëve mendojnë se ato do të bien mbi kompanitë dhe konsumatorët amerikanë. Përparësia jonë është të sigurojmë që kompanitë europiane të vazhdojnë të kenë akses në një treg të rëndësishëm. Çdo vit Bashkimi eksporton në SHBA mallra me vlerë mbi 500 miliardë euro.
Bëhet fjalë për shkëmbime tregtare nga të cilat varen miliona vende pune. Falë një tarife gjithëpërfshirëse me një kufi maksimal prej 15%, kompanitë tona do të gjenden në një pozicion force ndaj konkurrentëve botërorë. Siguruam marrëveshjen më të mirë ndër të gjitha ato të arritura deri më tani me SHBA. Dhe të mos harrojmë: alternativa do të kishte qenë një luftë tregtare me partnerin tonë më të rëndësishëm tregtar, në një kohë kur Europa është përfshirë nga tronditje ekonomike dhe duhet të përballet me kërcënime të rënda në kufijtë e saj. Nuk do të rrezikoj kurrë vendet e punës apo jetesën e njerëzve”.
Të premten e kaluar, me rastin e një samiti të Komisionit Europian mbi industrinë e automobilave, ju i dërguat sektorit një mesazh qetësues: “Do të arrijmë të pajtojmë dekarbonizimin dhe neutralitetin teknologjik”. Duke e përkthyer, mund të themi se do të rishikohet — ose të paktën zbutet — ndalimi i shitjes në BE të automjeteve të reja me motorë me djegie të brendshme që nga 1 janari 2035, që ju deri më tani e keni mbështetur kaq fuqishëm?
“Rishikimi i rregullave mbi CO2, që është pjesë integrale e aktit të miratuar nga ligjvënësit europianë, do të marrë parasysh objektivin e neutralitetit teknologjik. Rishikimi ka filluar para pushimeve verore dhe, pas konsultimit publik aktual, do të kryhet një vlerësim i ndikimit. Jam e vendosur ta përfundoj rishikimin deri në fund të vitit. Dhe në atë moment, aktorët e parë me të cilët do të diskutojmë do të jenë ata të sektorit automobilistik. Jam e bindur se deri atëherë do të jemi në gjendje të garantojmë parashikueshmëri për këtë sektor të rëndësishëm”.
Nëse do të duhej të vendosnit një rend strikt përparësie mes Green Deal, mbrojtjes së Europës, pavarësisë energjetike dhe konvergjencës buxhetore mes vendeve të BE-së, cila do të ishte zgjedhja juaj personale në vitin 2025?
“Nuk është e mundur të bësh një zgjedhje të prerë, pasi këto çështje janë shumë thellësisht të ndërlidhura. Për shembull: nëse neglizhojmë konkurrueshmërinë dhe marrjen e masave ekonomike të nevojshme, do të humbasim mjetet për të financuar kalimin drejt neutralitetit të emetimeve të karbonit. Nëse nuk i japim rëndësinë e duhur kalimit drejt energjisë së pastër, duke u mbështetur, për shembull, tek energjitë e rinovueshme dhe bërthamorja, nuk do të arrijmë të eliminojmë varësinë tonë të tepruar nga paqëndrueshmëria e tregut botëror të karburanteve fosile. Nëse neglizhojmë klimën, rrezikojmë të shkatërrojmë themelet e stabilitetit tonë ekonomik — si tani ashtu edhe në të ardhmen. Mjafton të shikojmë çfarë ndodhi këtë verë. Një e katërta e rajoneve të BE-së u godit nga thatësira, përmbytje dhe fenomene të tjera ekstreme atmosferike. Në këto rajone, vetëm këtë vit, PBB-ja do të bjerë me rreth 43 miliardë euro. BQE parashikon se, në mungesë të ndërhyrjeve të menjëhershme, humbjet vjetore do të arrijnë në 126 miliardë euro deri në vitin 2029. Me fjalë të tjera: një ekonomi e shëndoshë varet nga një mjedis i shëndoshë. Lajmi i mirë është se sukseset tona mund të kenë ndikime pozitive në sektorët e përmendur. Investimet në teknologjitë e pastra janë pozitive për klimën dhe industrinë. Pavarësia energjetike forcon mbrojtjen europiane, e kështu me radhë. Në këtë mënyrë, përparësitë tona përfundojnë duke e forcuar njëra-tjetrën”.
Parlamenti Europian është shumë i pakënaqur me ju: si do ta përballoni çdo dy muaj votën e mundshme të mosbesimit nga e djathta ekstreme dhe e majta ekstreme (pa përmendur pakënaqësitë e shumta brenda koalicionit tuaj të qendrës)? Mendoni se pozita juaj është dobësuar nga mocionet e përsëritura të censurës në Parlamentin Europian?
“Secila nga institucionet ka përgjegjësitë e veta. Personalisht veproj në interesin më të lartë të të gjithë europianëve. Eksponentët e së djathtës ekstreme dhe të së majtës ekstreme kanë gjithë të drejtën të vlerësojnë gjërat ndryshe dhe të ushtrojnë prerogativat e tyre parlamentare. Nuk më takon mua të bëj komente në këtë drejtim. Jam thellësisht e bindur se Europa mund të kapërcejë të gjitha sfidat nëse tregon unitet — mes partive, shteteve anëtare dhe institucioneve të BE-së. Bashkëpunoj me forcat demokratike proeuropiane të Parlamentit Europian për të arritur rezultate në dobi të qytetarëve tanë”.
Sipas shtypit gjerman ju mund të kandidoni për presidenten e Republikës gjermane. A është kështu? Mund të garantoni se do ta përfundoni mandatin tuaj në Komision?
“Sigurisht! Jam plotësisht e angazhuar për të kryer detyrat e presidentes së Komisionit dhe nuk jam e disponueshme për të marrë detyra të tjera”.
Të mërkurën Komisioni propozoi një paketë sanksionesh kundër Izraelit. Opozita e disa qeverive ndoshta do t’i pengojë këto masa. Çfarë parashikoni se do të ndodhë? Çfarë tjetër mund të bëjë Komisioni përballë asaj që po ndodh në Gaza?
“Duhet të garantojmë një siguri reale për Izraelin dhe, në të njëjtën mënyrë, një të tashme dhe një të ardhme të sigurt për të gjithë palestinezët. Kjo do të thotë që pengjet duhet të lirohen. Që duhet të garantohet qasje pa kufizime për të gjitha ndihmat humanitare dhe duhet të vendoset një armëpushim i menjëhershëm. Për sa i përket afatit të gjatë, megjithatë, pozicioni im është shumë i qartë: zgjidhja e bazuar në bashkëjetesën e dy shteteve është e vetmja perspektivë në gjendje të garantojë në rajon një paqe të qëndrueshme afatgjatë.”