Në Gjykatën e Posaçme u zhvillua sot një tjetër seancë në procesin gjyqësor ndaj të pandehurve Ismail Zeneli, Bujar Ajeti, Adrian Cenaj, Dedan Gjoni, Besmir Murtati dhe Albert Prenga.
Në seancë ishte i pranishëm vetëm Bujar Ajeti, ndërsa pesë të tjerët u përfaqësuan nga avokatët e tyre, pasi kishin shprehur vullnetin për të mos qenë të pranishëm.
Avokati Maks Haxhia paraqiti konkluzionet përfundimtare në emër të klientit të tij, Ismail Zeneli, i cili përballet me disa akuza të rënda, përfshirë trafik ndërkombëtar droge në kuadër të një grupi të strukturuar kriminal, organizatë kriminale dhe sigurim kushtesh për të kryer vrasje.
Sipas avokatit, prokuroria nuk ka paraqitur prova konkrete për asnjë nga episodet, duke u mbështetur kryesisht në interpretime të pasakta të komunikimeve në aplikacionin SKY ECC dhe dëshmi të fragmentuara. Avokati ka kërkuar shpalljen e Zenelit të pafajshëm për të gjitha akuzat.
Ndërsa mbrojtja e Bujar Ajetit, përmes një dosjeje me 29 faqe dhe disa prova të reja, argumentoi se klienti duhet të shpallet i pafajshëm për akuzat që lidhen me pjesëmarrjen në grup kriminal dhe sigurimin e kushteve për të kryer vrasje. Mbrojtja kërkoi një dënim minimal ose zëvendësim të dënimit me kohën e qëndrimit në paraburgim.
Ndërkohë Gjykata e Posaçme pritet të japë vendimin në një seancë të ardhshme.