Ditën e sotme në Prishtinë është mbajtur një përkujtimore në nderim të policit të vrarë në sulmin në Banjskë, Afrim Bunajku. Heroi Afrim Bunjaku u vra nga forca terroriste serbe më 24 shtator në Banjskë të Zveçanit.
Një fjalim mbajti edhe djali i tij, Fatlum Bunjaku, i cili u shpreh se plagët e mungesës së babait të tij nuk shërohen kurrë. Ai tha se e kujton babain me buzëqeshje dhe me fjalët e tij.
“Jemi mbledhur këtu për ta kujtuar, babain, heroin, Afrim Bunjaku. Kanë kaluar dy vite nga ajo ditë e dhimbshme, kur ai ra heroikisht, por plagët e mungesës së tij nuk shërohen kurrë. Çdo mëngjes kur zgjohem e ndjej boshllëkun që ka lënë, e kujtoj buzëqeshjen dhe fjalë e tij”, tha ai.
Më pas Fatlumi tha se e di se babai i tij ra për një ideal më të madh, për atdheun, kufijtë, e Kosovën.
“Është e rëndë ta them, por edhe pse nuk është pranë meje, unë ndihem krenar që pata një baba si ai. Sa herë që i takoj kolegët e tij, e di që babai nuk ishte vetëm i imi, por i gjithë Kosovës .Babai im prehu i qetë, ne do të kujtojmë gjithmonë”, tha ai.