Policia Kufitare e aeroportit të Rinasit ka sqaruar ngjarjen që ndodhi më 6 shtator rreth orës 02:30, gjatë imbarkimit të pasagjerëve për një fluturim çarter drejt Antalias.
Sipas policisë, disa pasagjerë debatuan me punonjësit e check-in për shkak të radhave, duke kërkuar të kalonin bashkërisht dhe pa radhë për shkak të fëmijëve të vegjël. Stafi i aeroportit kërkoi ndërhyrjen e policisë, dhe konflikti u mbyll nga shërbimet e Komisariatit të Policisë Rinas.
Kryefamiljari A. M., dhe 18 anëtarë të tjerë të familjes bashkë me fëmijë të mitur u kanë kërkuar falje punonjësve.
Duke parë reflektimin pozitiv të familjarëve dhe duke marrë parasysh faktin që kishin edhe fëmijë të mitur me vete, si dhe faktin që punonjësit nuk donin të bënin kallëzim, punonjësit e Policisë Kufitare të Rinasit i kanë këshilluar për moskryerje të veprimeve të tilla dhe i kanë lejuar të vijonin udhëtimin.
Autoritet thonë se pretendimet se personat e përfshirë në konflikt janë familjarë të Xh. Q., nuk janë të vërteta.