Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka dhënë dy arsye kryesore që, sipas tij, kanë çuar në pezullimin e dialogut strategjik me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Në një diskutim me një grup të rinjsh në SHBA, Kurti tha se fillimi i zbatimit të sundimit të ligjit në veri të Kosovës dhe presioni amerikan për ta larguar Serbinë nga Rusia janë faktorët kyç.
“E para është për shkak të fillimit të sundimit të ligjit në veri të Kosovës, ku nuk mund të bëj kompromise… SHBA-të e konsiderojnë shumë të rëndësishme ta tërheqin Serbinë nga hemisfera lindore,” tha Kurti.
Ai theksoi gjithashtu se, për shkak të qëndrimit të fortë për demokracinë, sovranitetin dhe integritetin territorial, disa në SHBA e shohin qasjen e tij si “pak më ekstreme” krahasuar me paraardhësit e tij, të cilët ishin më të butë në marrëdhëniet me amerikanët.
Raportet mes Prishtinës dhe Uashingtonit janë përkeqësuar, pasi administrata amerikane beson se Kurti nuk ka treguar gatishmëri të mjaftueshme për bashkëpunim gjatë mandatit të tij në krye të qeverisë.