Familja e Doriana Hakës, bashkëshortes së portierit të njohur të futbollit shqiptar, Alban Hoxha, vijon prej më shumë se një dekade betejën ligjore për të kërkuar drejtësi pas vdekjes tragjike të së bijës, vetëm dy javë pasi solli në jetë fëmijën e saj.
Në një seancë të zhvilluar së fundmi në Gjykatën e Apelit, prindërit e Dorianës, Hamide dhe Enver Haka, kanë shprehur revoltën dhe zhgënjimin e tyre për zvarritjen e çështjes dhe mungesën e një vendimi përfundimtar.
“Na dogji shpirti. Dori im do drejtësi. Ka 11 vite që presim dhe çdo ditë është një dhimbje më vete. Një fëmijë që rritet pa nënë meriton drejtësi.
Nuk kërkojmë asgjë tjetër, vetëm drejtësi”, u shpreh në mënyrë emocionale Hamide Haka, në një deklaratë për mediat pas përfundimit të seancës gjyqësore.
Ndërsa babai i saj, Enveri, theksoi se pavarësisht vështirësive dhe kohës së gjatë që ka kaluar, nuk do të ndalet:
“Po bëhen 11 vite në kërkim të drejtësisë. Prej tre vitesh çështja qëndron pezull në Gjykatën e Apelit. Shtyhen seanca pa arsye të qarta. Do e ndjek deri në fund, derisa të mbyll sytë. Drejtësi, vetëm drejtësi, asgjë tjetër”, tha ai me tone të vendosura.
Avokati i familjes, Bashkim Sulstarova, tha për “News 24” se trupa gjykuese dëgjoi ekspertët mjekoligjorë në seancën e fundit dhe shprehu besimin se vendimi do të jetë i drejtë:
“Presim që Gjykata e Apelit të vlerësojë provat dhe dëshmitë e paraqitura dhe të japë një vendim që i përgjigjet realitetit tragjik të kësaj ngjarjeje,” deklaroi Sulstarova.
Familja Haka vijon të shpresojë se drejtësia, ndonëse e vonuar, nuk do të mbetet e mohuar