Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, gjatë mbledhjes së Kryesisë, deklaroi se kushtetuta po shkelet në mënyrë flagrante nga regjimi aktual dhe kjo e bën të debatueshme pjesëmarrjen e opozitës në garën elektorale për Tiranën.
Berisha akuzoi qeverinë dhe Presidentin për lidhje me aktivitete kriminale dhe për shkelje të ligjit, duke e quajtur sistemin aktual “narkodiktaturë” ku ligji dhe kushtetuta nuk respektohen.
“Mblidhemi sot në një moment për të diskutuar dhe vendosur modelin që do të përgjedhim si kryesi e PD për garën elektorale për Tiranën. Dua të theksoj se, dhunimet flagrante të Kushtetutës nga individë dhe njerëz të inkriminuar, të lidhur me vjedhje dhe përvetësime të pronave publike si Rama dhe kukulla e tij në Presidencë, seria e dhunimit të kushtetutës me aktet e tyre me të drejtë e bëjnë të debatueshëm pjesëmarrjen tonë në këtë garë.
Për të gjithë ata të cilët e kanë parasysh se ne jetojmë në një diktaturë autoritare ku kushtetuta është një letër e vdekur, në të cilën ligji është një letër pa vlerë, të kërkosh kushtetutë dhe kushtetutshmëri në një regjim autoritar të bazuar në drogën është si të kërkosh një pikë uji në shkretëtirë. Parimet e kushtetutës janë të pavdekshme për një rend sistematik kurse në një narkodiktaturë ato janë faktikisht të parespektuara”, tha Berisha.









