Ngjarja e rëndë që tronditi Babrrun mbrëmjen e 2 tetorit ka kaluar në duart e drejtësisë. Gjykata e Tiranës ka vendosur masën “arrest me burg” për Arlind Demushin, 38-vjeçarin i cili akuzohet për vrasjen me thikë të Hajdar Ismailgecit, 40 vjeç.
Demushi nuk ka preferuar të flasë para gjykatës, ndërkohë që avokatët e tij kanë argumentuar se ngjarja ka ndodhur në kushte të rënduara emocionale dhe jo si rezultat i një veprimi të planifikuar.
Sipas mbrojtjes, viktima dhe i dyshuari kishin marrëdhënie miqësore dhe jetonin prej kohësh në të njëjtën banesë.
Një debat i çastit i shoqëruar me ofendime dyshohet se ka precipituar në përplasje fizike, duke përfunduar me goditjen fatale me thikë.