Pas ngjarjes së rëndë në Likovë ku u plagos Zekirja Shaini, kandidati i BDI-së për kryetar komune, autoritetet në Maqedoninë e Veriut kanë vënë në pranga bashkëshorten e tij, A.A., 43 vjeçe nga Tetova.
Sipas informacioneve zyrtare, ajo dyshohet për përfshirje në tentativën për vrasjen e Shainit, ngjarje që ndodhi më 7 tetor në fshatin Sllupçan. Policia ka shoqëruar gjithashtu gjashtë persona të tjerë për t’u marrë në pyetje lidhur me rastin.
Ndërkohë, një tjetër person, L.F., 36 vjeç nga Gostivari, dyshohet si autor i atentatit dhe aktualisht është në arrati. Policia po punon për kapjen e tij dhe pritet të dorëzojë kallëzim penal në konsultim me Prokurorinë.
Hetimet janë ende në vijim dhe autoritetet po përpiqen të zbardhin të gjitha rrethanat e kësaj ngjarjeje që ka tronditur opinionin publik.