Sot gjatë mbledhjes së kabinetit në Shtëpinë e Bardhë, Presidenti Donald Trump foli për një përparim shumë të rëndësishëm në Lindjen e Mesme. Ai tha se mbrëmjen e së mërkurës i dhanë fund luftës në Gaza dhe se në fakt krijuan paqe në një shkallë më të gjerë.
Trump u shpreh se beson se kjo do të jetë një paqe e qëndrueshme dhe shpreson që të jetë e përjetshme. Gjithashtu tha se tani fokusi do të jetë te rindërtimi i Gazës, që do të ndihmohet nga vendet e pasura të rajonit.
Ai përmendi edhe numrin e lartë të viktimave civile në Gaza, që e cilësoi si një hakmarrje për sulmet e 7 tetorit dhe tha se kjo situatë duhet të ndalet.
Presidenti lavdëroi punën e zyrtarëve amerikanë në negociata dhe tha se SHBA-të janë të gatshme të bashkëpunojnë me Iranin në të ardhmen, duke përmendur edhe sulmin ndaj objekteve bërthamore iraniane si një hap të rëndësishëm për arritjen e paqes.
Mbledhja vazhdon, por tani Trump ka kaluar te çështjet e brendshme.








