Unioni i Gazetarëve Shqiptarë ka reaguar pas rasteve të fundit ku disa gazetarë sportivë shqiptarë janë përballur me kontrolle të zgjatura dhe presion psikologjik në pikat kufitare të Serbisë, ndërsa udhëtonin për të ndjekur ndeshjen Shqipëri-Serbi në Leskovac.
Sipas UGSH, kolegët e mediave shqiptare janë mbajtur për disa orë në kufi dhe në aeroport, janë pyetur në mënyrë të përsëritur dhe provokuese, ndërsa pasaportat u janë mbajtur pa asnjë shpjegim zyrtar. Këto veprime përshkruhen si pjesë e një qasjeje represive që krijon klimë stresuese dhe armiqësore për gazetarët shqiptarë.
Unioni i kërkon autoriteteve serbe të garantojnë lirinë e lëvizjes dhe sigurinë e përfaqësuesve të medias, si për raportime profesionale ashtu edhe për vizita me karakter turistik. Gjithashtu, UGSH apelon për reagim dhe solidaritet nga organizatat mediatike në Serbi, për të mbrojtur parimet e lirisë së shtypit dhe respektit ndërkombëtar për gazetarët.