Kërcënimi rus dhe mbrojtja e kufijve lindorë të Evropës janë në qendër të takimit të sotëm të ministrave të Mbrojtjes të NATO-s dhe BE-së.
Pas ndërhyrjes së rreth 20 dronëve rusë në hapësirën ajrore të Polonisë, ku NATO u detyrua të rrëzonte tre prej tyre, Aleanca nisi Operacionin “Roja Lindore” për të forcuar mbikëqyrjen në lindje. Disa shtete anëtare kërkojnë tani që NATO të ketë më shumë fleksibilitet në reagim ndaj incidenteve të tilla.
Në fokus është edhe mbrojtja nga dronët. BE-ja ka propozuar ndërtimin e një “muri kundër dronëve”, ide që është mbështetur edhe nga Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, por me kusht që të zhvillohet në bashkëpunim të ngushtë me Aleancën.
Ministrat do të takohen gjithashtu me përfaqësuesin ukrainas Denys Shmyhal për të diskutuar programin “Purl”, që i lejon Ukrainës të blejë armë amerikane me financim evropian. Sipas ambasadorit amerikan në NATO, ky program është “jetik” për ta detyruar Rusinë të ulet në tryezën e negociatave.
Takimi i sotëm pritet të sjellë vendime të rëndësishme për forcimin e mbrojtjes evropiane dhe për mbështetjen e vazhdueshme ndaj Ukrainës.