Partia Demokratike ka hedhur sot akuza të forta kundër Presidentit Bajram Begaj. E ndërsa kërkon shkarkimin e kreut të shtetit, kryetari i grupit demokrat, Gazment Bardhi deklaroi se Presidenti është paguar nga një klinikë mjekësore kundrejt tenderave që i ka dhënë.
Më tej, kreu i grupit të PD, u shpreh se një shkelje tjetër e Begaj ka të bëjë me konfliktin e interesit, ku djali i tij, ndonëse ndodhet jashtë shtetit rezulton i punësuar në një kompani sigurimesh që fiton të gjitha tenderët e Presidencës.
Partia demokratike e ka publikuar sot deklaratën e pasurisë së presidentit Bajram Begaj, të depozituar në ILDP, nga ku rezulton se në vitin 2023 ai është paguar edhe nga një spital privat.
Konkretisht, në faqen e deklaratës sa pasurisë ku raportohen të ardhurat vjetore dhe burimi i tyre, rezulton se presidenti ka pasur të ardhura nga paga në shumën 1605 euro nga një spital privat si dhe pagën si president i vendit në shumën 3.3 milionë lekë. Të dyja këto të ardhura janë deklaruar se janë marrë për periudhën 1 janar- 31 dhjetor 2023.
“Presidenti del i punësuar në një klinikë mjekësore. Ditën bën presidentin dhe pasdite paguhet nga rrjeti Acibadem. Ky është niveli i presidentit të Republikës. Nuk përmbush asnjë standard, ndjehemi të keqardhur që paraqesim kërkesën për shkarkim. President pasdite dhe mjek pasdite.
Ky është president dhe pasdite shkon si konsulent në një rrjet të klinikave private. Përfitimi personale dhe të të birit, pasi për këtë shkelje dyshohet se ka bërë dhe një krim dhe për këtë do t’i drejtohemi SPAK. Në kundërshtim me disa nene ka krijuar një gjendje konflikti interesi që cenon konkurrencën duke I dhënë përfitimet e gjitha prokurimeve të Presidencës, kompanisë ku është punësuar në mënyrë fiktive djali i tij.
Djali i presidentit vetëm 23 vjeç, ndërkohë që ndodhet jashtë vendit. Dhe që ndodhet me studime jashtë Shqipërisë, të dhënat tregojnë se është në një kompani sigurimesh brenda Shqipërisë me një pagë që është dyfishi i pagës së punonjësve që kanë punonjësit në këtë kompani. Ka pagë të barabartë me drejtuesit, i katërti në këtë kompani. Kjo kompani aplikon për të fituar tenderë në Presidencë dhe i fiton të gjitha”, deklaroi Bardhi.








