-sidi education-spot_img
8.5 C
Tirana
-sidi education-spot_img

Zef Mazi: Gaza, pauzë apo paqe?

Kryesoret

– Tragjedia e palestinezëve –

Situata e palestinezëve në Gazë është një tragjedi e tmerrshme. Ajo i kalon përmasat e imagjinatës, duke marrë dimensione të një gjenocidi shfarosës. Pamjet televizive janë rrënqethëse dhe flasin vetë. Sipas Ministrisë së Shëndetësisë të Gazës, janë 67 mijë të vrarë, pa llogaritur ndoshta edhe disa mijëra kufoma të tjera që kanë mbetur nën rrënojat e shkatërrimeve.

Një personalitet, në Kneset (Trump), ndër shumë fjalë në ajër, bëri edhe humor, mall i lirë, lavdëroi izraelitët për përdorimin e mirë të armëve amerikane (për të vrarë) dhe një të proceduar nga Gjykata Ndërkombëtare e Krimeve. Ai foli për 27 të liruarit izraelitë, diçka shumë e mirë, por nuk tha asnjë fjalë për dhjetëra mijëra të vrarë dhe për shkatërrimet në Gazë, që i ngjajnë vetëm Dresdenit pas bombardimeve në Luftën e Dytë Botërore.

Fillimet e kësaj tragjedie shkojnë më shumë se 100 vjet pas, tek Deklarata e Balfurit, nënshkruar më 2 nëntor 1917. Ajo deklaratë përshkroi planin e përgjithshëm britanik për krijimin e një atdheu për hebrenjtë në Palestinë. Kjo është thelbësore për të kuptuar konfliktet e sotme në Lindjen e Mesme. Para firmosjes së Deklaratës, britanikët, mjeshtra të manipulimeve, ua kishin premtuar arabëve atë tokë si shtet i pavarur. Njëkohësisht, ata i kishin premtuar edhe qeverisë franceze se ajo do të ishte zonë e administruar ndërkombëtarisht, edhe pse, ndërkohë, shumica e territoreve ishin nën kontrollin otoman. Pas dy premtimeve, nacionalistëve arabë dhe qeverisë franceze, Sekretari i Jashtëm britanik nënshkroi Deklaratën e Balfurit, duke i bërë, në të njëjtën kohë, edhe një premtim të tretë hebrenjve: zotimin për të krijuar një shtet kombëtar për popullin hebre në tokën e Palestinës.

Deklarata ishte mjaft e përhimtë, e paqartë. Ajo thoshte se atdheu do të ishte “në Palestinë”, por nuk specifikonte ku! Zotohej të mbronte “të drejtat civile dhe fetare të komuniteteve ekzistuese jo-hebreje”, por nuk përmendte të drejtat e tyre politike. Për britanikët ia vlente të bëheshin ato premtime konfliktuale, të cilat do t’u siguronin daljen në krye si fitimtarë në Luftën e Parë Botërore. Britania dhe Franca dolën fitimtare ndaj Fuqive Qendrore në 1918. Kur lufta po i afrohej fundit, britanikët duhej të përballeshin me pasojat. Vendimet që ata morën atëherë ndezën një konflikt njëshekullor!

Judaizmi dhe sionizmi nuk janë e njëjta gjë. Judaizmi është fe dhe identitet kombëtar; sionizmi është ideologji politike me fokus nacionalizmin dhe shtetformimin hebre. Ndërsa termi “semitizëm” përfshin karakteristikat, mënyrat, idetë, ndikimin, etj., e popullit hebre. Këto koncepte nuk duhen ngatërruar, pavarësisht se, për arsye politike, i ngatërrojnë duke quajtur antisemit cilindo që kritikon politikën e shtetit të Izraelit. Kjo bëhet për t’i mbyllur gojën kritikëve!

Sionizmi ishte lëvizje sociale që u themelua në Vjenë nga avokati dhe gazetari hebre austro-hungarez, Theodor Herzl, në vitin 1896. Herzl konsiderohet babai i sionizmit politik modern. Ai bëri thirrje për “rivendosjen e shtetit hebre”. Falë lidhjeve historike dhe fetare me rajonin, Palestina u bë vendi i dëshiruar për shtetin e ardhshëm hebre.

Duhen njohur arsyet që britanikët bënë tre premtime konfliktuale të njëkohshme për të njëjtin territor. Strategjia britanike në Lindjen e Mesme shkaktoi një konflikt mbi njëqindvjeçar. Mendohet se interesi parësor britanik në Lindjen e Mesme në fillimin e shekullit të 20-të ishte nafta, sepse ajo zonë lidhet me naftën. Por “kordoni” i jetëshpëtimit ishte Kanali i Suezit, rruga më e shkurtër që lidhte Britaninë me Indinë.

Britania e kishte kontrolluar Egjiptin që në vitin 1822. Ajo besonte se shkretëtira e Sinait ishte një hapësirë e mjaftueshme për të mbrojtur kanalin. Në rrëmujën evropiane, Londrës i duhej një fitore e shpejtë. Ish-kryeministri britanik, Llojd Xhorxh, mendonte se atë fitore mund ta arrinin në Palestinë: turqit duheshin nxjerrë jashtë lufte dhe Kanali i Suezit shpëtonte nga kërcënimi i tyre. Por Britania e kishte syrin te një territor shumë më i gjerë, që përfshinte rajone të tjera në lindje dhe perëndim të Lumit Jordan. Atje jetonte një popullsi e vogël e krishterë dhe hebreje, por shumica ishin arabë myslimanë. Pas shekujsh sundimi otoman, shumica e arabëve kërkonin të kishin një shtet të tyre.

Rritja e lëvizjeve nacionaliste në perandoritë shumëkombëshe në Evropë në fundin e shekullit të 19-të dhe fillimin e shekullit të 20-të, filloi t’i ngacmonte dhe irritonte udhëheqësit arabë. Ajo kohë solli lindjen e pan-nacionalizmit arab dhe idesë të një toke të pavarur për të gjithë popujt arabë. Njëri prej drejtuesve arabë ishte Sharif Huseini i Mekës, kryetari i qyteteve të shenjta Meka dhe Medina. Ai gëzonte mjaft respekt tek popullsia lokale. Britanikët vendosën ta përdornin atë për interesin e tyre: i premtuan të udhëhiqte një shtet arab nëse Huseini do të ngrihej në revoltë kundër sundimit otoman. Revolta Arabe, siç njihet, filloi nën drejtimin e dy djemve të tij, Faisalit dhe Abdullahut. Ndërsa trupat britanike dhe të Komonuelthit përparuan në Palestinë, milicia arabe, me ndihmën e oficerit britanik, Thomas Edward E. Lorenc, i njohur si Lorenci i Arabisë, tërhoqi vëmendjen dhe përqendrimin e otomanëve nga krahu tjetër. Më 1 tetor 1918, Damasku iu dorëzua ushtrisë arabe.

Britanikët nuk i lanë pazaret sekrete pas shpine: Nga Nëntori 1915 deri në Janar 1916, diplomatët britanikë dhe francezë, Mark Sykes dhe Francois George Picot, e pjesëtuan Perandorinë Otomane në sfera influence britanike dhe franceze. Ata nuk i vunë shumë rëndësi as kufijve, as etnicitetit dhe as fesë së popullsisë lokale. Franca do të merrte Sirinë dhe Libanin e sotëm dhe një pjesë të Turqisë dhe Irakun. Ndërsa Britania pretendoi pjesën tjetër të Irakut të sotëm dhe Palestinën jugore dhe lindore. Pjesa tjetër e territorit do të lihej nën kontroll ndërkombëtar.

Gjithçka vërtitej rreth Kanalit të Suezit. Ideja për ta bërë Palestinën zonë ndërkombëtare e ka shpjegimin: britanikët nuk donin t’ua jepnin atë francezëve, dhe nga ana e tyre, francezët nuk donin që atë ta merrnin britanikët. U bë kompromis: e gjithë marrëveshja ishte një kompromis në kohë lufte midis dy vendeve që ashtu ndodhi të ishin aleatë, ndërkohë që ishin të dy rivalë të mëdhenj politikë dhe perandorakë. Ata do t’i ktheheshin atij rivaliteti, përsëri si rivalë, pas Luftës së Parë Botërore.

Emigrimi hebre në Palestinë u shtua gjatë viteve 1900. Rreth vitit 1914, sipas raporteve, hebrenjtë në Palestinë ishin rreth 60 mijë, ose 8 për qind e popullsisë. Britanikët ishin të bindur se do ta fitonin luftën në Lindjen e Mesme dhe bënin plane për një zgjidhje në atë zonë pas luftës. Llojd Xhorxh mendonte se të kishte një atdhe hebre në Palestinë do të thoshte të bëje gjënë e drejtë. Ajo ishte e leverdishme edhe politikisht. Britania mendonte se duke përkrahur idenë sioniste, do t’i fitonte në anën e saj financierët dhe industrialistët hebrej në Amerikë, dhe do të ishin ata që do t’i bënin presion qeverisë amerikane të qëndronte e kyçur në Luftën e Parë Botërore dhe të luftonte për kauzën e aleatëve. Ishte edhe ideja që hebrenjtë kontrollonin financën botërore dhe bizneset kudo në vendet kapitaliste. Ajo ide u ngulit fort në mendje dhe është njëra nga arsyet që mendohej se ata mund t’i bënin presion qeverisë amerikane.

Pas marrjes së Damaskut në 1918, ushtria britanike e la Faisal-in në krye të zonës të pushtuar ushtarakisht, zonë që Faisali e deklaroi si Mbretëria Arabe e Sirisë. Francezëve nuk u pëlqeu aspak! Me shpresën për të ruajtur ndikimin e tyre në rajon, përmes një lufte të shkurtër, francezët e përzunë Faisalin, që ishte një goditje shkatërruese për kauzën pan-arabe.

Kufijtë e ri të Lindjes së Mesme u përcaktuan nga Fuqitë Aleate fitimtare në një varg konferencash ndër vitet 1919-1923. Me formimin e Lidhjes së Kombeve, Britania dhe Franca morën kontrollin përmes disa mandatesh që kishin synim të përgatisnin popullsitë lokale për pavarësi. Francës iu dhanë mandate për Sirinë dhe Libanin, ndërsa Britanisë iu dhanë mandate për Mesopotaminë dhe Palestinën. Pas humbjes të Faisal-it, britanikët vendosën që Palestinën ta ndanin në dy pjesë. Faisal-it i dhanë kurorën e Mesopotamisë, ndërsa vëllait, Abdullahut, iu dha kurora e Transjordanisë të sapokrijuar. Pjesa e mbetur e Palestinës do të ishte strikt britanike. Pra, Palestina lindi pas Luftës së Parë Botërore dhe nuk ishte pjesë e një shteti pan-arab, sepse në rajon nuk ekzistonte shtet pan-arab. Nuk ishte as një rajon i kontrolluar ndërkombëtarisht, ose rajon që francezët të kishin ndonjë kontroll. Ishte një mandat administrimi britanik i Lidhjes së Kombeve. Ishte shkruar në statutin e tij: Mandati për Palestinën ishte Deklarata e Balfurit për një shtëpi për popullin hebre në Palestinë.

Nga vitet 1930, u rrit fluksi i emigrimit hebre në Mandatin e Palestinës. Ardhja e Hitlerit në fuqi në Gjermani, në 1933, e mbingarkoi krejt situatën përmes politikave antisemite që u formalizuan dhe u zbatuan në Gjermani. Ato ishin shok i madh për komunitetin hebre në Evropë. Një numër qeverish kishin vendosur kufizime strikte për emigracionin hebre. Për ata që donin të largoheshin, të shpëtonin, kishte pak opsione se ku mund të shkonin. Për shumë prej tyre udhëtimi për në Palestinë ishte i vetmi opsion që u mbeti.

Në 1936, kontingjenti hebre në Mandatin e Palestinës u rrit, duke numëruar 28 për qind të popullsisë. Tensionet u përshkallëzuan me shpejtësi alarmuese. Ajo që filloi si grevë e përgjithshme ndër arabët palestinezë në 1936 përshkallëzoi në sulme të dhunshme kundër vendbanimeve hebreje dhe garnizoneve britanike. Ato ngjarje njihen si Revolta e Madhe. Ata luftuan për një çështje: donin shtetin e tyre të Palestinës, një vend i pavarur dhe i çliruar nga kontrolli britanik. Britanikët u përgjigjën me egërsi, sollën edhe forca nga India për ta shtypur sa më parë revoltën, shpallën Ligjin e Luftës në 1937. Ata përdorën me prioritet dënimin kolektiv, shkatërruan shtëpi, dogjën fshatra, bombarduan nga ajri edhe zona të banuara, arrestuan, vranë ose internuan udhëheqësit arabë, duke e përçarë në fraksione lëvizjen e tyre.

Ajo që ndodhi në Luftën e Dytë Botërore është e njohur, e tmerrshme, e dënueshme fuqimisht, gjithmonë e paharruar, që ajo të mos përsëritet më. Rezistenca e palestinezëve ndaj vrasjeve masive, shpërnguljeve, rrëmbimit të tokës së tyre, etj., është rezultat i asaj politike që shkurtimisht u prek më lart, e cila është ngritur kundër tyre dhe vazhdon prej mbi 100 vitesh tashmë, si dhe pas krijimit të Shtetit të Izraelit nga viti 1948 e sot. Bota hesht në një superhipokrizi të theksuar, përbuzëse. Ndërsa vetëm elitat politike, ekranet televizive dhe mediat e kontrolluara qeveritare mainstream nuk pushojnë së pretenduari se po punohet për paqe.

Nuk mund të mos jesh shumë skeptik, ajo që pamë nuk është paqe, ajo është një pauzë, një pushim zjarri që shitet si paqe. Shumë herë të tjera më parë ka pasur propozime me plane të tilla. Asnjë nuk ka mbajtur. Edhe plani i tanishëm, pavarësisht nga pompa e madhe dhe fjalët e llustruara, por pa substancë, nuk mendoj se do të mbajë. Si më parë, pas kësaj pause, shoh se do të rifillojë. Arsyeja: në themel të përpjekjeve nuk është çështja kryesore që të sigurojë se nuk do të rifillojë asnjëherë tjetër – krijimi i Shtetit të Palestinës, që të jetojë në paqe, krah për krah me Shtetin e Izraelit, me të gjitha garancitë e sigurisë. Pas gjithe asaj qe ka ndodhur, Tramp cakton një britanik të papelqyeshëm të administrojë Gazën. Historia përsëritet pas 100 vitesh. Ndoshta nga mosnjohja por, nëse njihet, edhe më keq, bëhet me qëllim. Mbetet për t’u parë cdo sjellë e ardhmja.

/5pyetjet.al

spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
- Advertisement -spot_img

Më tepër

- Advertisement -spot_img

Lajmet e fundit