Presidenti i Malit të Zi, Jakov Milatoviç, ka kërkuar më shumë mbështetje nga Bashkimi Europian për të përballuar fushatat dezinformuese që, sipas tij, po dëmtojnë procesin e integrimit të vendit në BE.
Në një intervistë për Politico nga Brukseli, Milatoviç theksoi se Mali i Zi është gjithnjë e më shpesh objekt i ndikimeve të jashtme që synojnë të sabotojnë rrugën drejt anëtarësimit deri në vitin 2028. Ai i ka paraqitur BE-së propozime konkrete për përballimin e këtyre ndërhyrjeve.
Presidenti malazez përmendi rastin e Moldavisë si shembull për nevojën e krijimit të strukturave të posaçme kundër dezinformimit në vendet e Ballkanit.
Mali i Zi ka mbyllur vetëm 7 nga 33 kapituj negociues me BE-në dhe synon përparim të mëtejshëm deri në fund të vitit. Milatoviç paralajmëroi se mungesa e mbështetjes nga BE rrezikon të lërë pas vendet që janë më të përkushtuara ndaj rrugës europiane.








