Deputetja e Partisë së Lirisë, Erisa Xhixho, ka ngritur shqetësimin për nivelin e lartë të TVSH-së mbi produktet ushqimore bazë në Shqipëri, duke e cilësuar atë si barrën më të rëndë fiskale në rajon.
Përmes një video-mesazhi në rrjetet sociale, Xhixho thekson se shqiptarët paguajnë 20% TVSH për ushqimet e shportës, ndërkohë që në Kosovë kjo taksë është vetëm 8%, në Maqedoninë e Veriut 5%, në Mal të Zi 7%, në Greqi 6% dhe në Itali 4%.
Sipas saj, kjo situatë ndikon drejtpërdrejt në jetesën e qytetarëve, të cilët shpenzojnë deri në 40% të buxhetit familjar për ushqime, ndërkohë që çmimet janë rritur dhe pagat nuk kanë ndjekur të njëjtin ritëm.
Xhixho kujtoi gjithashtu se në vitin 2013, kryeministri Edi Rama kishte premtuar heqjen e TVSH-së për produktet bazike si buka, qumështi, vaji, vezët dhe mielli, por pas 12 vitesh, ky premtim nuk është mbajtur.
“Jo vetëm që nuk u ul TVSH-ja, por çmimet janë dyfishuar dhe familjet shqiptare janë lodhur duke mbajtur peshën e një shteti që nuk u lehtëson jetën,” shkruan Xhixho.
Partia e Lirisë ka depozituar tashmë një propozim në Kuvend për uljen e TVSH-së për produktet bazë nga 20% në 5%, një nismë që Xhixho e cilëson si masë ekonomike dhe sociale për të lehtësuar koston e jetesës.
“Nuk po flasim për luks, por për mbijetesë. Është koha të merren masa konkrete për qytetarët,” përfundon ajo.