Ushtarët e këmbësorisë gjermane të KFOR-it, të mbështetur nga aviacioni amerikan dhe njësitë për Asgjësimin e Mjeteve Shpërthyese (EOD) nga Komanda Rajonale Lindje, kanë zhvilluar një stërvitje me zbarkim me helikopter në pjesën jugore të Kosovës, ka njoftuar misioni paqeruajtës i NATO-s, duke publikuar edhe një video nga ushtrimi.
Sipas njoftimit, helikopterët UH-60 Black Hawk kanë vendosur trupat në mbështetje të një patrulle të pavarur. Stërvitja kishte për qëllim përmirësimin e lëvizshmërisë së shpejtë ajrore, procedurave të zbarkimit dhe koordinimit midis ekipeve të këmbësorisë, aviacionit dhe EOD-së, duke forcuar ndërveprimin dhe gatishmërinë operacionale ndërmjet kontingjenteve gjermane dhe amerikane.